Tre shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe për përfshirje në prodhimin e kanabisit. Vlera e drogës shkonte në total, 137.000 Paund. Ndërkohë policia sekuestroi gjatë aksionit që zgjati nga 1 Dhjetori i 2018-s deri më 7 Janar të këtij viti, 160 rrënjë kanabisi të prodhuara në dy shtëpi të ndryshme në Leeds. Prokurori i çështjes, Ian Hudson, tha në gjykatë se u gjetën gjithashtu 11 çanta të mëdha që mbanin drogë, vlera e të cilës shkonte deri në 94.000 Paund.
Ai tha se Islam Gjuta, 23 vjeç, i dha agjentëve të policisë, një leje drejtimi false, kur u ndalua më 6 Dhjetor. Katër ditë më vonë, ai u pa duke dalë nga një shtëpi në Vinery Terrace me një çantë të madhe dhe hyri në shtëpinë e Lumjan Matmujës në Gledhow. Në të dyja shtëpitë autoritetet gjetën kanabis. Prokurori tha se një nga shqiptarët u ndalua një ditë më pas nga shërbimet e Woodall në jug të Yorkshire. Me vete në makinë, ai kishte kanabis me vlerë 10.000 Paund.
Kanabis u gjet edhe në shtëpinë e 32-vjeçares Valbona Furiku, në Ivy Grove. Autoritetet bënë të ditur se të tre shqiptarët ishin në Britani ilegalisht. Të tre pranuan se ishin marrë me prodhimin e drogave të Klasit B. Ndërkohë Gjuta dhe Matmuja pranuan se janë marrë edhe me furnizim të drogave të Klasit B. Islam Gjuta dhe Valbona Furiku, gjithashtu pranuan fajin për mbajtjen e dokumenteve false.
Të tre shqiptarët nuk kishin dënime të tjera më parë. Avokati mbrojtës i Gjutës dha se klienti i tij është një punëtor ndërtimi, i cili është në borxhe. Ndërkohë, avokati i Matmujës u shpreh se shqiptari është thjesht një kopshtar. Për 32-vjeçaren Furiku, avokati mbrojtës tha se ajo është infermiere e kualifikuar, por që nuk mundi të gjejë punë në Shqipëri. Kështu që mori para borxh nga familja dhe erdhi në Britani.
“Nuk e dinte deri që ishte kanabis. Nuk ka marrë asnjë pagesë. Kur erdhi në Britani asaj iu dha një kartë identiteti”, tha Robin Freeze.
Ajo u dënua me gjashtë muaj burg dhe sapo të përfundojë dënimin do të deportohet në Shqipëri. Ndërkohë Islam Gjuta u dënua me tre vite burg, ndërsa Lumjan Matmuja u dënua me nëntë muaj burg./abcnews.al