Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit për lënien në burg të tre banorëve të unazës së re. Në një postim në facebook, kreu demokrat shprehet se tre baballarë mbahen në burg sepse mbrojnë shtëpitë e fëmijëve, ndërkohë sot Rama duhej të ishte në burg për veprën kriminale të pastrimit të parave.
Postimi i facebook i Bashës:
“Me urdhër të Edi Ramës, gjyqtari Arben Micko mbajti sot në arrest Skender Dodën, Gramoz Shehun dhe Ilias Katiraj. Tre baballarë mbahen në burg sepse mbrojnë shtëpitë e fëmijëve nga Hajduti Psiqik, Damian Lala dhe Taulant Yaris Bego që duan të vjedhin 40 milionë euro te Unaza e Re.
Sot Edi Rama duhej të ishte në burg për veprën kriminale të pastrimit të parave dhe ndërhyrjes me para të pista në fushatën e Presidentit Obama. Damian Lala dhe Taulant Yaris Bega duhet të ishin në qeli, bashkë me Sajmir Tahirin për aferat e tyre hajdutërore dhe bashkëpunim me narkotrafikantët.
Me hajdutë në qeveri dhe njerëz të pafajshëm në burg, nuk ka Europë, as zhvillim, as drejtësi. Vetëm largimi i kësaj bande hap rrugën drejt normalitetit dhe mirëqenies.
Sot në ora 18:00 të bashkohemi në protestë në krah të banorëve të dhunuar te Unaza e Re, kundër hajdutërisë dhe padrejtësisë”.
Ndërkohë mësohet se në mbështetje të banorëve do të jenë edhe sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, kryesia e PD dhe ish deputetë. Për të pasur pjesëmarrje masive në protestën e pasdites së sotme, çdo kryetari grupseksioni i është kërkuar të marrë masat për të qenë prezent, si dhe te lajmërojë strukturën për pjesëmarrje në mbështetje të protestuesve të Unazës së Re.
Gjithashtu, të gjithë drejtuesit e departamenteve, si dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar janë njoftuar të marrin pjesë në protestë.
Një vendim i tillë nga PD, vjen pas arrestimit të 6 banorëve të Unazës së Re, ndërkohë që në protestën e ditës së shtunë, në zonë zbarkuan forca të shumta policie. /abcnews.al