Përmes një ceremonie të veçantë tek Amfiteatri tek Kodrave të Liqenit çelet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të filmit Travel Fest Albania. Në këtë festë të filmit, që ka si kryefjalë udhëtimin marrin pjesë artistë nga e gjithë bota.
Gjithçka nis me filmin “Mirdita”, një dedikim që artistët Izraelit i bëjnë udhëtimit të tyre në Shqipëri. Hubert Perr nga delegacioni i BE-së e vlerësuan iniciativën e këtij festivali për promovimin e natyrës dhe mesazhet për mjedisin.
Ky festival, i pari i llojit të tij në Shqipëri, ka kryefjalë natyrën, mjedisin dhe turizmin si një zhanër filmi të veçantë. Filmat pjesëmarrës fokusohen në zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin natyror, duke eksploruar tendencat më novatore audiovizuale të përvojës së turizmit dhe udhëtimit nëpër botë.
Kantautori Bojken Lako i dha një ngjyrë tjetër festivalit me tingujt e muzikës.
Festivali do të mbahet nga 18 deri më 24 korrik, ku do të shfaqen 128 filma me temë turizmin dhe mjedisin nga 42 vende të botës te cilët do të vlerësohen nga juria profesioniste e cila udhëhiqet nga regjisorja dhe aktorja e njohur Ema Andrea. Filmat mund t’i shihni në Kinema Millenium dhe Qendra Multifunksionale “Ten” dhe Amfiteatri i Parkut Rinia.
Kategoritë e filmave në konkurim janë të larmishëm nga tema e natyrës, jeta e egër, alpinizmi, peizazhi, mjedisi dhe ekologjia, bota nënujore, biodiversiteti, flora, sportet ekstreme dhe aventurat, vendet historike, trashëgimia, ekspeditat dhe rrugëtimi, ushqimet dhe pijet etj.
Festivali është mbështetur nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Turizmit dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë.
Fituesit do të shpallen në një ceremoni të veçantë në ditën e fundit të festivalit më 24 korrik 2022. Autorët e pranishëm do të kenë mundësinë të vizitojnë disa prej pikave turistike në Tiranë për një përvojë të paharrueshme duke përfshirë turne, degustime gastronomike, ekspozita, vizita në muze, shfaqje kulturore etj. /abcnews.al/