Nga Leontina Nika
Një plak me qenin besnik , një çift i dashuruar këto janë personazhet e formësuar në 10 tablo në ekspozitën “Standart i dyfishtë”. Për shumë shtetas sirianë ikja nga atje është për të shpëtuar jetën. Ndryshe nga të tjerët, artisti Mohammad Ramadani mendonte edhe për shpëtimin e veprës.
Një vit më parë ai mbërrit në Shqipëri, shqetësimi më i madh i artistit të ri krahas mbijetesës së familjarëve ishte edhe vepra e tij.
“Nuk ishte e lehtë që këto punë të vijnë sërish në duart e mija, kur arritën jetova të njëjtin emocion si gjatë aktit të krijimit. Odisaeja e tyre ishte gjatë. Pesë muaj pas me ndihmën e disa miqve artistë, të cilët negociuan me disa kompani arritën që 10 prej punimeve të mija të dashura që pasqyrojnë traumën e luftës tashmë ekspozohen edhe për publikun shqiptar.”
Kjo ekspozitë është një ikje në kohë, e cila lidhet me pasojat e konfliktit, humbjen e kujtimeve dhe jetëve të asaj situate lufte civile, ngjarje që çuan miliona njerëz të largohen nga Siria .
“Emigrimet janë të ndryshme , por emëruesi i përbashkët është ankthi, pasiguria, çështja e identitetit dhe zhvendosjes. Këto ndjesi jam përpjekur që t’i hedh edhe në këtë cikël pikturash, fill pas ngjarjeve me qëllim që emocionet të jenë sa më të gjalla.”
Kompozimet e tij karakterizohen nga ngjyrat e ftohta në pamje të parë, por ata rezonojnë përmes një aplikacioni në celular ngjyrën e mishit, ndaj i ka pagëzuar me emrin “standard i dyfishtë”.
“Pikturat e mija pasqyrojnë fatin e secilit në lidhje me të tjerët. I kam vënë brenda kutive ku qëndrojnë me vështërsi, qëllimi është për të pasqyruar nevojën jetike për të futur kokën në një banesë. Kjo traumë e arratisjes dhe izolimit është e përkthyer edhe në ngjyra bardhe, gri e kaltër e zbehte , e cila thyhet tek tuk me ngjyrë të zezë. Por brenda kësaj kutie kam pasqyruar dy anët e medaljes anët e errëta dhe dritën e shpresës.”
Udhëtimi i mundimshëm e shoqëron ende artistin e ri i cili është diplomuar në Fakultetin e Arteve, në Universitetin e Damaskut ne vitin 2017. Mos pasja e një banese fikse këto 365 ditë të jetuar në Tiranë, si dhe pa mundësia e sigurimit të mjeteve bazë e kanë bërë që ai të braktisë penelat përkohësisht, por i bindur është që edhe këtë situatë kaosi ta hedh në telajo një ditë. /abcnews.al/