Lorenc Trashi ka prekur disa tema gjatë prononcimit në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Mëngjarashi shënoi golin e dytë të Partizanit, komenton luftën për titull dhe tregon një detaj interesant në lidhje me penalltinë e Çinarit.
FITORJA – “Shumë ndeshje negative, shumë humbje, kishim vite që nuk pësonim 6 humbje rresht. Ana morale ka qenë e ulët. Në dy ndeshjet e fundit kemi bërë mirë. Sot u futëm sikur po luanim ndaj Tiranës apo Kukësit. Pjesën e parë nuk ishim agresivë. Trajneri na kërkoi në pushim të ishim më agresivë kur humbasim topin . Sulmuesin e bënë mirë dhe i përgëzoj”.
TITULLI – “Titullin e mendojmë. Do shpallnim objektiva të tjera po të mos e mendonim. Ka shumë ndeshje, kemi besim te njëri-tjetri, edhe trajneri ka besim te ne. Nuk janë shumë 7 pikë. Siç kemi gabuar ne, do të gabojnë edhe ata. Do vijë momenti që do gabojnë dhe do përfitojmë, njësoj siç kanë përfituar ata nga humbjet tona”.
PENALLTIA -“Po ju tregoj një bisedë të shkurtër. Unë e krosova, Solomon ishte me shpinë. Nuk e di saktësisht nëse ishte penallti. Nga biseda me Ribajn, kapitenin e tyre, i cili po protestonte tek arbitri, ai më tha që ishte penallti, por po protestonte për ndëshkimin me karton. Po i ankohej arbitrit për ndëshkimet e shumta me kartonë. Edhe Solomon më tha që ishte penallti, më tregoi se kishte kontakt”.
SITUATA – “Largimi i Asanit dhe problemi i Malës, e kanë ulur cilësinë në ekip. Dua të them edhe që kemi Bardhin, Solomon, Broën, Çinarin, të cilët po bëjnë një lojë të mirë. Kemi pasur probleme, ndryshojnë situatat nga viti në vit. Moralisht kemi qenë dobët pas 6 humbjeve. Kontestimi i tifozëve ka qenë i drejtë. Shpresoj, sinqerisht, ta kalojmë këtë moment me ndeshjen me Laçin. Na pret një ndeshje e fortë”.
SKEMA – “Nuk e kemi praktikuar më parë këtë skemë, është disi e vështirë. Është një lodhje e madhe, anësorët duhet të bëjnë presion, është e lodhshme dhe e vështirë. Trajneri këmbëngul për këtë skemë, është filozofia e tij, duhet t’i përshtatemi. Mesa kam vënë re në video, kemi përmirësim me këtë skemë, po lëvizim, po merremi vesh shumë mirë me njëri-tjetrin”. /abcnews.al