Trashëgimia kriminale e Naser Kelmendit, familja nga Peja vazhdon ta trazojë rajonin

schedule16:47 - 13 Korrik, 2022

schedule 16:47 - 13 Korrik, 2022

Emri i tij është i njohur në mbarë botën, aq sa u bë problem i rëndësishëm edhe për SHBA-në. Por Naser Kelmendi është lënë i lirë në Kosovë dhe me familjen e tij vazhdon ta kontrollojë trafikun e drogës në rajon e më gjerë. Sot Policia e e Bosnjës pati punë me grupin e tij kriminal dhe ia arrestoi djalin.

Biznesmeni nga Peja, Naser Kelmendi, bashkë me djemtë e tij, vazhdon t’i trazojë organet e drejtësisë në rajon e më gjerë. Ai ka kohë që e ka shndërruar familjen e tij në një grup kriminal, të njohur kryesisht për trafikim të drogës e krim të organizuar.

Vite kohë kishin shpenzuar autoritetet boshnjake duke e hetuar Naser Kelmendin dhe e njohin mirë atë dhe grupin e tij. Sot ia arrestuan djalin, Elvis Kelmendin. Ai dhe disa të tjerë u prangosën në Sarajevë për krim të organizuar, lidhur me kontrabandën ndërkombëtare dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogës, si dhe për vepra të tjera penale.

Autoritetet boshnjake kishin shkuar deri në Francë për të kërkuar ndihmë për t’u përballur me rrjetin kriminal të Naser Kelmendit. Agjencia Shtetërore e Bosnjës për Mbrojtje dhe Hetime (SIPA) në vitin 2008 kishte bërë një prezantim në Interpol, në Lyon, duke përshkruar aktivitetet e Kelmendit dhe grupit të tij.

Anëtarët e familjes Kelmendi janë përfshirë thellë në trafikun e drogës, deri në kartelet kriminale të Meksikës në Amerikën Latine.

Naser Kelmendi shkoi nga Kosova në Sarajevë pas përfundimit të luftës në Bosnjë. Autoritetet boshnjake e kishin përpara një luftë tjetër dhe targeti ishte bërë shqiptari nga Peja, që, siç tregojnë të dhënat, u bë shtetas i Bosnjës që në vitin 1998.

Kur ishte 19 vjeç, në vitin 1976, u dënua me një vit e gjysmë burgim për tentim-vrasje.

Hetuesit boshnjakë e përshkruajnë si perandori kriminale ballkanike atë që e posedon sot 64-vjeçari. Kelmendi, djemtë e tij dhe vëllai, Beqiri, drejtojnë një numër firmash në Bosnjë, Serbi e Kosovë. Dosja për ta në SIPA-n e Bosnjës është tepër e trashë.

Kelmendi, 10 vjet më parë e kishte përshkruar veten kështu: “I dua veturat. I dua femrat”.

“Jam 54 vjeçar e droga nuk më ka interesuar kurrë. Jam thjesht një biznesmen”, pati thënë për Vijest-in malazez.

Por policia e Bosnjës thoshte se kolegët e tyre në mbarë Europën e dinë historinë e Naser Kelmendit dhe grupit të tij.

Në listën e zezë të SHBA-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën Naser Kelmendin dhe familjen e tij në listën e zezë në qershor të vitit 2012, me vendim të presidentit të atëhershëm amerikan, Barack Obama.

Shkaku ishte se drejtonte një rrjet familjar që shpërndante heroinë dhe droga të tjera përmes Afganistanit në Turqi dhe Europë.

Krahas liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah, Kelmendi llogaritet si personi më i rrezikshëm në Europë për interesat amerikane.

Me këtë rast, Banka Federale e Shteteve të Bashkuara përmes Interpolit kishte kërkuar ngrirjen e të gjitha aseteve të Naser Kelmendit në Mal të Zi.

Naser Kelmendi

Gjykimi

Me gjithë akuzat që rëndojnë mbi të, Naser Kelmendi ia kishte dalë me sukses që të mos shkelte asnjëherë në gjyqin e Bosnjës. Por ai po gjykohet tashmë në Kosovë. Më 6 korrik ndaj tij u zhvillua seanca e fundit gjyqësore.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 1 shkurt 2018 e kishte dënuar Naser Kelmendin me 6 vjet burgim, vetëm për një nga 8 pikat e aktakuzës. U shpall fajtor për trafikim me narkotikë, nga 9 vepra penale sa ishin në aktakuzë. Por rasti ishte kthyer në rigjykim.

Kelmendi ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë herë qëndroi herë në paraburgim, e herë në arrest shtëpiak. Masa e paraburgimit fillimisht iu hoq më 28 shkurt 2017, për t’iu zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak. Gjykata e Apelit ia kishte kthyer masën e paraburgimin një muaj më pas, por Themelorja e kishte liruar sërish nga paraburgimi. Pas ankesave të prokurorit ndaj këtij vendimi, Apeli e kishte kthyer edhe njëherë Kelmendin në paraburgim.

Në qershor të vitit 2017, Kelmendi u lirua edhe njëherë dhe që atëherë mbrohet në liri.

Hetuesit e Policisë boshnjake pohojnë se Naser Kelmendi e kontrollon trafikun e drogës në nivel rajonal.

Djemtë

Në Sarajevë, Policia kishte paraqitur të paktën 13 kallëzime penale në pesë vitet kundër Kelmendit dhe djemve të tij Elvis, Liridon dhe Besnikut, duke përfshirë akuzat për vrasje, tentativë vrasje dhe sulm. Prangat ua rrethuan duart disa herë, por u liruan.

Përderisa Naser Kelmendi nuk shkeli kurrë në gjyq, dy djemtë e tij dhe vëllain ia kishin dënuar për akuza relativisht të lehta në Sarajevë.

Në vitin 2004, Beqir Kelmendi u dënua me Besnik Kelemndin për armëmbajtje pa leje. Dy vjet më vonë, Liridon Kelmendi u dënua me shtatë muaj burgim për armëmbajtje pa leje dhe municion.

Besnik Kelmendi

Në korrik të vitit 2009, Elvis Kelmendi u dënua me një vit burgim për dhunë.

Në prezantimin që SIPA e Bosnjës ia kishte bërë Interpolit në vitin 2008, të cilin e kishte siguruar agjencia boshnjake e lajmeve, CIN, thuhej se ai drejton një nga organizatat më të mirëorganizuara kriminale në rajon.

Sipas raportit, në organizatë bëjnë pjesë djemtë e tij: Elvisi, Besniku dhe Liridoni, shoqëruesja e Naser Kelmendi, Jasmina Babiq nga Serbia, vëllai i tij, Beqiri dhe kushëriri i tij nga Gjermania, Rexhep Kelmendi.

Liridon Kelmendi

Naser Kelmendi ka në grupin e tij kriminal edhe anëtarë, ndikimi i të cilëve thuhet se shkon nga shtetet e Ballkanit deri në Gjermani e SHBA.

Lumë vrasjesh

Nuk mund të quhet ende e përfunduar hasmëria që familja e Naser Kelmendit e ka me familjen Elshani nga Peja. Një pjesë e madhe e anëtarëve të këtyre dy familjeve u vranë përgjatë viteve: gjithsej 23. Të mbijetuarit fshihen dhe vështirë shfaqen publikisht.

Sulmi i fundit daton në vitin 2019, ku mbeti një i plagosur. Dhjetëra të tjerë u plagosën më herët.

Kjo seri atentatesh e vrasjesh të ftohta duket se nuk ka përfunduar. Peja ishte më së shpeshti arena e vrasjeve mes këtyre dy familjeve. Motivet mbeten mister.

Edhe banorët e Pejës u mobilizuan për ta ndaluar këtë masakër midis dy familjeve, por pa ndonjë sukses.

Pak çfarë dihet për pasurinë e Kelmendëve

Në një deklaratë për prokurorin e Sarajevës Oleg Čavka më 3 shtator 2007, Kelmendi kishte thënë se kishte shkuar në Bosnjë në vitin 1988 dhe kishte qëndruar deri pak para se të shpërthente lufta më 1992.

“Në këtë periudhë kam pasur dy dyqane në Sarajevë: një sallon flokësh dhe një dyqan bizhuterish”, kishte thënë ai.

Në Pejë, thoshte se kishte një kompani, një biznes të shitjes së cigareve me shumicë.

Djemtë e tij kishin disa biznese tjera, si kompani derivatesh, auto-sallone, markete e motel.

Në deklaratën e vitit 2007, Kelmendi u tha prokurorëve se ka qenë i përfshirë në biznese tregtare për 30 vjet dhe se nuk ka bërë asgjë tjetër. Ai shtonte se po e ndërtonte një hotel në Ulqin dhe se kishte në plan të merrej me biznes atje.

Ai kishte treguar se kishte një kompani tregtare në Dubai, në një zonë pa taksa.

Kelmendi po ashtu tha se kishte shtatë apo tetë vetura të cilat ishin të regjistruara përkohësisht në emër të kompanisë.

Drejtori i “ASA Group”, një auto-salloni në Sarajevë, kishte treguar se Kelmendi blente nga 10 vetura në vit.

Në emër të vëllait të tij, Beqirit, në vitin 2008 ishte regjistruar fabrika “Adolado” për prodhimin e akulloreve.. Kelmendi u kishte thënë prokurorëve se ai kishte pronari i kompanisë e cila u shit një vit më pas.

“Casa Grande”, një hotel në pronësi të Naser Kelmendit, është bastisur pesë apo gjashtë herë nga policia, sipas avokatit të tij Midhat Koço.

Në deklaratën e tij të vitit 2007 para prokurorit Čavka, Kelmendi kishte mohuar çdo përfshirje në trafikimin e drogës.

“Unë e urrej drogën dhe gjithçka që shoqërohet me të”, kishte thënë atëherë.

/GazetaExpress