Trashëgimia e kushtueshme e Donald Trump

schedule09:49 - 12 Janar, 2021

schedule 09:49 - 12 Janar, 2021

Nga Richard Haass, Project Syndicate

Më në fund mund të themi me besim se presidenti amerikan Donald Trump do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, edhe pse me shumë ngurrim, më20 Janar. Ndërsa 4 vitet e tij në detyrë po mbarojnë, nuk është shumë shpejt të ngrihet pyetja se si do të mbahet mend presidenca e tij.

Historia do ta gjykojë Trumpin si një president të veçantë, që e la Amerikën dhe botën shumë të ndryshuar. Gjithashtu do të shihet si një nga presidentët më të këqij, në mos më i keqi në historinë e SHBA-së.

E vërtetë, Trump arriti disa gjëra të dobishme. Brenda vendit, ai ndërmori disa politika – uli taksat shumë të larta mbi korporatat; thjeshtëzoi disa rregullore tepër burokratike – të cilat duket se kanë kontribuar në rritjen e fortë ekonomike.

Në politikën e jashtme, Trump meriton të vlerësohet për ndryshimin e politikës amerikane përballë një Kine gjithnjë e më represive dhe agresive,në një drejtim më të matur dhe kritik. Ai gjithashtu kishte të drejtë që furnizoi Ukrainën me armë mbrojtëse, meqë një pjesë e këtij vendi ndodhet nën pushtimin rus.

Negocimi i një pakti të ri tregtar me Meksikën dhe Kanadanë, dhe më pas bindja e Kongresit për t`a miratuar atë, ishte një arritje e rëndësishme, ndonëse përmirësimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) ishte modest, dhe pjesët e rëndësishme të marrëveshjes së re u kopjuan nga teksti i Partneritetit shumë më të madh tëTrans-Paqësorit, të cilin Trump e refuzoi në mënyrë të gabuar.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara luajtën një rol me vlerë në lehtësimin e normalizimit të lidhjeve midis Izraelit dhe disa fqinjëve të tij arabë, pavarësisht nga dështimi i Uashingtonit për të arritur ndonjë përparim në çështjen palestineze.

Por këto dhe çdo arritje tjetër,lihen në hije nga moria e gabimeve që kreu Trump. Në mënyrë të veçantë spikasin 3 dështime. I pari është dëmi që ai i ka bërë demokracisë amerikane.

Ngjarjet e 6 janarit 2021, kur një turmë mbështetësish të Trump rrethuan dhe pushtuan godinën e Kapitolin Hill, ishin kulmi i përpjekjeve të presidentit për të demonizuar median,  shkelur normat e vendosura, për të promovuar gënjeshtrën, për të vënë në diskutim  autoritetin e gjykatave, si dhe për të refuzuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, që kaluan çdo provë serioze të legjitimitetit të tyre.

Nxitja nga ana e Trump e veprimtarisë së paligjshme dhe dhunës, ishte pika që derdhi gotën. Sigurisht, jo i gjithë faji është i Trump, pasi askush nuk i detyroi kaq shumë zyrtarë republikanë të ndiqnin shembullin e tij, në përpjekjen për të minuar legjitimitetin e fitores së presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Ata që i dhanë mundësi Trump të tentojë përmbysjen e zgjedhjeve, përmes mbështetjes së tyre politike dhe financiare, ndajnë përgjegjësinë për sulmin e tij të vazhdueshëm ndaj kufizimeve që janë kritike për funksionimin e çdo sistemi demokratik.

Megjithatë, ajo që e dallon këtë incident të populizmit amerikan nga episodet e tij të mëparshme, është se ai ishte gatuar më shumë nga Zyra Ovale sesa nga jashtë.

Çështja e dytë përcaktuese është ajo e pandemisë së Covid-19.

Përhapja e koronavirusit ishte vërtet dështimi i Kinës, por reagimi katastrofik i Trump, është ai që e shpjegon psenë në kohën kur të largohet nga zyra, kur mbi 400.000 amerikanë do të kenë vdekur nga sëmundja. Reagimi i gabuar i SHBA-së, solli gjithashtu zhdukjen e miliona vendeve të punës dhe falimentimin e mijëra bizneseve, çka bëri që qeveritë dhe njerëzit në të gjithë botën të humbitnin respektin për Amerikën.

Administrata Trump mund të kishte bërë dhe duhej të bënte shumë kundër koronavirusit. Edhe pse meriton të vlerësohet për rolin e saj në zhvillimin e shpejtë të vaksinave ndaj Covid-19, kjo arritje u dëmtua pjesërisht nga dështimi për të rregulluar shpërndarjen e tyre në një mënyrë efikase.

Gjithashtu, administrata Trump dështoi të ofrojë mesazhe të qëndrueshme mbi nevojën e mbajtjes së maskave, dhe nuk siguroi që personeli mjekësor të kishte pajisje mbrojtëse të përshtatshme, apo të siguronte një mbështetje federale të plotë për zhvillimin e testeve efektive dhe efikase.

Kontrasti me reagimet relativisht të suksesshme të Tajvanit, Australisë, Zelandës së Re, Gjermanisë, Vietnamit dhe Kinës, nënvizon se një shpërthim epidemik viral nuk ka pse të çojë detyrimisht në një pandemi, dhe sigurisht jo në atë shkallë që është përjetuar ky virus në SHBA.

Ironikisht, Trump kishte me sa duket frikë se vënia në plan të parë e luftës kundër Covid-19 do t`a dobësonte ekonominë, dhe kësisoj do të shkatërronte shanset e rizgjedhjes së tij në detyrë, kur në fakt ishte dështimi i tij për t’u ngritur në lartësinë e sfidës, ai që ndoshta solli edhe humbjen në zgjedhje.

Dështimi i tretë i trashëgimisë së Trump, ishte një politikë e jashtme që e minoi pozicionin e Amerikës në botë. Pjesërisht, ky rezultat u detyrohet arsyeve të përshkruara më sipër:sulmi i tij ndaj demokracisë dhe dështimi për t’u marrë si duhet me COVID-19.

Por politika e jashtme e Trump, dështoi ndërkohë edhe në themelet e veta. Pavarësisht nga diplomacia personale e Trump me Kim Jong-un,Koreja e Veriut i shtoi rezervat e saj bërthamore, dhe ndërtoi raketa gjithnjë e më të mira. Irani e zvogëloi kohën që i duhet për të prodhuar armë bërthamore, dhe kjo pas daljes së njëanshme të administratës Trump nga pakti bërthamor i vitit 2015.

Diktatura e Venezuelës është forcuar, ndërsa Rusia, Siria dhe Irani e rritën ndikimin e tyre në mbarë Lindjen e Mesme, për shkak se Amerika tërhoqi trupat dhe mbështetjen për partnerët lokalë. Sidomos, tërheqja e SHBA-së nga marrëveshjet dhe institucionet ndërkombëtare, u bë shenja dalluese e politikës së jashtme të Trump, ashtu si kritikat e tij ndaj aleatëve evropianë dhe aziatikë të Amerikës, po ashtu dhe marrëdhëniet komode me udhëheqësit autoritarë, dhe neglizhenca ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Rezultati ka qenë një zvogëlim i ndikimit të SHBA-së në skenën botërore. Trump trashëgoi një sërë marrëdhëniesh, aleancash dhe institucionesh, të cilat sado të papërsosura, kishin krijuar për 75 vjet një kontekst në të cilin ishte shmangur konflikti mes fuqive të mëdha, ishte zgjeruar demokracia dhe pasuria, si dhe ishin rritur standardet e jetesës.

Duke përqafuar një përzierje të nacionalizmit, “unilateralizmit” dhe qasjes izolacioniste të “Amerika e Para”, Trump bëri atë që mundi për të prishur shumë nga këto marrëdhënie, pa krijuar asgjë më të mirë në vend të tyre. Do të jetë e vështirë – në mos e pamundur – për ta riparuar këtë dëm shumë shpejt.

Trump nuk do të jetë më president, por ai do të mbetet një njeri me ndikim në Partinë Republikane dhe në SHBA. Ndërsa bota ishte tashmë në një kaos në rritje dhe teksa ndikimi i SHBA-së ishte në rënie, Trump i përshpejtoi në mënyrë dramatike që të dyja tendencat. Përfundimi është se ai ka krijuar hapësirë për një botë në një gjendje shumë më të keqe sesa ajo që trashëgoi. Kjo është edhe trashëgimia e tij shqetësuese. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Richard Haass, president i Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme. Më parë ka shërbyer si Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin amerikan të Shtetit në vitet 2001-2003.