29 pacientë kanë kryer transplantin e veshkave financuar 100% nga shteti këtë vit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi pacientin më të vogël, një 9-vjeçar nga Tirana, nga shtëpia e të cilit premtoi se për kryerjen e transplanteve nuk do të ketë lista pritje. Orvatjet nga një spital në tjetrin kanë marrë fund për këtë nëntë vjeçar.
Manuel Ferati nga periferia e kryeqytetit në muajin tetor kreu transplantin e veshkës në Spitalin Amerikan në Tiranë. Dhures ishte i ati, ndërsa financimi u mbulua nga shteti.
Një muaj e gjysmë më pas vogëlushi i është kthyer jetës normale. Ndërsa babai është në gjendje të mirë shendetësore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu shkoi për ta vizituar.
“Kjo është një zgjidhje definitive, jam informuar që Manueli ka kaluar vështirësi, është pacienti më i vogël që ka kryer transplantin dhe tani është shumë mirë. Janë kryer 29 transplante dhe po vjen në rritje numri i transplanteve”, tha Manastirliu.
Transplanti i veshkave është pjesë e paketave shëndetësore falas, të cilat financohen nga shteti në spitalet publike dhe jopublike. Që prej fillimit të kryerjes së transplantit falas 4 vite më parë, 90 pacientë kanë përfituar ndërhyrjen pa pagesë në sistemin jopublik./abcnews.al