Transformohen blloqet e banimit në lagjen Nr. 2 në Cërrik, Gjiknuri: Ogur i mire, investimet po shtrihen përtej qendrës

schedule13:00 - 12 Mars, 2022

schedule 13:00 - 12 Mars, 2022

Një tjetër bllok banimi në lagjen Nr. 2 në qytetin e Cërrikut po transformohet tërësisht.  Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri njëherësh dhe drejtues politik i qarkut bashkë me Kryebashkiakun, Andis Salla dhe deputetin Luan Duzha inspektuan punimet që po realizohen në këtë lagje, ku përfshihet asfaltimi i rrugëve të brendshme, rehabilitimi i ujërave të zeza dhe të bardha, trotuare, ndriçim,  gjelbërim si dhe sistemimi i parkingjeve për banorët.

Gjiknuri theksoi se realizimi i investimeve të tilla me impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tregon njëherësh dhe miradministrimin e të ardhurave nga ana e Bashkisë.

“Fakti që po bëhet një investim prej Bashkisë do të thotë mirëadministrim i të ardhurave që përkthehet në investime konkrete apo transformim të lagjeve dhe zonave të qyetit. Këtu nuk ka pasur ndërhyrje nga autoritetet. Kjo do të thotë se për banorët ky është një investim i mirëpritur. Ky është një ogur i mirë edhe për brezat e rinj sepse do jetë një zonë e urbanizuar, me ndriçim, kanalizime dhe me të gjitha parametrat që kërkon një qytet”, tha Gjiknuri.

Ai siguroi se investime të tilla do të vijojnë dhe do të shtrihen në të gjithë Bashkinë e Cërrikut. “Ky investim është në vazhdën e asaj që kemi thënë që bashkitë do fillojnë të shtrihen pak nga pak edhe përtej asaj që quhet qendër”, deklaroi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë Cërrik, Andis Salla u shpreh se një vëmendje të veçantë po u kushtohet blloqeve të banimit në qytet me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve.

“Këtu jemi në lagjen numër 2 të qytetit. është një nga lagjet në punim në të cilën ne jemi duke vazhduar. Është një projekt totalisht i Bashkisë Cërrik për t’u mundësuar qytetarëve një jetesë më të mirë dhe për t’u dhënë prioritet të gjithë blloqeve të banimit. Përfshihen kanalizimet e ujërave të zeza, kanalizime të ujërave të bardha, ndriçim, asfaltim dhe parking të dedikuar për banorët”, tha Salla. /abcnews.al/