Transferimi i të burgosurit, i “hëngri kokën” ish-kreut të burgjeve

schedule17:19 - 24 Tetor, 2018

schedule 17:19 - 24 Tetor, 2018

Arben Çuko, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dyshohet nga prokuroria se ka marrë 3 mijë euro si dhe një makinë në pronësi, vetëm për të transferuar një të dënuar nga burgu i Burrelit në atë të Peqinit. Sekseri, sipas përgjimeve, ka qenë shoferi i Çukos.

3 mijë euro dhë një makinë. Kaq dyshohet se i është ofruar ish-drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Arben Çuku për të bërë një transferim nga burgu i sigurise së lartë të Burrelit në atë të Peqinit.
Çdo gjë është zbardhur në përgjimet e bëra nga Prokuroria në kuadër të hetimit për grupet e përfshira në tregtimin e narkotikëve brenda e jashtë Shqipërisë. Personat nën hetim gjatë përgjimeve ka rezultuar se kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme tek zyrtarë të lartë. Sipas përgjimeve rezulton se Astrit Avdyli, Denis Llaftiu, Fatos Llaftiu kane kryer ndërhyrje në veprimtarinë e zyrtarëve shtetërorë. Gjatë përgjimeve ka rezultuar se i dënuari Olsi Karagjozi, i cili vuante dënimin në burgun e Burrelit, ka hyrë në kontakt me Denis Llaftiun, duke i kërkuar atij që nëpërmjet lidhjeve që kishte të ndërhynte tek Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve për tu transferuar.

Transferimi sipas përgjimeve do të bëhej kundrejt pagesës së 3 mijë eurove dhe i dënuari ka premtuar dhe kalimin e një automjeti në pronësi. Denis Llaftiu sipas përgjimeve është vënë në kontakt me shoferin e Çukos, të cilit i ka bërë ofertën. Paratë dhe makina, sipas përgjimeve i janë dorëzuar shoferit Qerim Mushës, i cilësuar si interlokutori i Arben Çukos. Pasi është bërë pagesa, transferimi nuk ka ndodhur menjëherë, gjë që ka sjellë reagimin e të dënuarit Karagjozi, i cili ka kërkuar kthimin e parave. Në përgjime lidhur me këtë rast del edhe një bisedë e bërë nga drejtori i burgut të Burrelit me eprorin e tij të asaj kohe Arben Cuko, i cili i ngre dyshimin se mund të ketë ndonjë pisllëk në këtë histori, duke iu referuar ndonjë dekonspirimi të mundshëm.

A: Alo, përshëndetje.
B: Përshëndetje, Fatjoni jam.
A: Kush Fatjon o burr?
B: Fatjoni, drejtori i Burrelit.
A: Hë Fatjon, më thuaj.
B: Nuk kemi ndonjë problem, situata është e qetë. A mund të vij nesër në mëngjes të bisedojmë për nja dy çështje të vogla?
A: Nuk e di, nuk mi thua dot në telefon?
B: Ti them edhe në telefon, por doja t’ju takoja tu uroja… Mirë drejtor, doja të flisja edhe për këtë për një transferim të një të burgosuri që të kishin bisedu.
A: Ça është?
B: Është ky Karagjozi, për arsye sigurie më shumë.
A: Po, Olsi Karagjozi, ma ke dërgu. Prit ta vendos unë se kam dëgju llafe të tjera për këto lloje. Ata që më kanë ndërhy mua më duhet se ma kanë bërë me pisllëqe. Prit ta vërtetoj unë.

Sipas përgjimeve pavarësisht dyshimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve e ka nxjerrë urdhërin e transferimit të të dënuarit Karagjozi në 9 korrik të këtij viti nga burgu i Burrelit në atë të Fierit. Mbi Arben Çukon po vijojnë ndërkohë hetimet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë./abcnews.al