“Tramp-Putin”/ Moska dhe Uashingtoni konfirmojnë takimin

schedule22:23 - 27 Qershor, 2018

schedule 22:23 - 27 Qershor, 2018

Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini kanë rënë dakord për mbajtjen e takimit mes presidentëve Trump dhe Putin. Por ndërsa takimi mund të shërbejë për të qetësuar situatën në arenën ndërkombëtare, ajo pritet të ngjallë pakënaqësi tek aleatët e Trump që duan ta izolojnë Rusinë.

Moska dhe Uashingtoni kanë arritur të mërkurën një marrëveshje për mbajtjen së shpejti të takimit të presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump, një lëvizje kjo që ka gjasa të shqetësojë aleatët e Shteteve të Bashkuara por dhe të acarojë kritikët e Trump në Amerikë. Burime pranë Kremlinit kanë konfirmuar lajmin pas një takimi të zhvilluar në Moskë mes këshilltarit të Trump për sigurinë kombëtare, John Bolton dhe presidentit Putin. “Ky takim ka kohë që përgatitet dhe ka një rëndësi të madhe për marrëdhëniet mes Amerikës dhe Rusisë, por edhe për gjithë situatën ndërkombëtare”, ka deklaruar Juri Ushakov. Por një takim i tillë pritet të ngjallë pakënaqësi tek aleatët e Amerikës, si për shembull Britania e Madhe që synon të izolojnë Putin; apo tek vendet europiane që janë të shqetësuara për qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s. Ushakov ka bërë me dije se Moska dhe Uashingtoni do ta njoftojnë kohën dhe vendin e takimit ditën e enjte, ndërsa ka shtuar se Trump dhe Putin do të bisedojnë kokë më kokë për disa orë e më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ndërkohë, në mediat amerikane përflitet se takimi do të mbahet në mes të korrikut, në një vend të tretë dhe shanset janë që të jetë kryeqyteti i Finlandës, Helsinki. Por përveç aleatëve, eventi i shumëpritur pritet të shkaktojë edhe pakënaqësi të brendshme në Shtetet e Bashkuara, ku Kongresi ka aprovuar dy herë gjatë presidencës Trump rinovimin e sanksioneve ndaj Rusisë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!