Trajtonte tumorin nga Tirana me Skype dhe Whatsapp, sërish para gjyqit mjeku italian

schedule14:53 - 14 Qershor, 2022

schedule 14:53 - 14 Qershor, 2022

Nga Tirana, doktor Tullio Simoncini trajtoi me mesazhe në whatsapp apo lidhje skype katër pacientë, disa me kancer dhe të tjerë vetëm me disa shqetësime, duke përshkruar trajtime me bikarbonat, pavarësisht se ishte përjashtuar nga regjistri i mjekëve në vitin 2006, pikërisht për nxitjen e kësaj terapie falas. Vepra penale për të cilën mjeku del para gjyqit, është ajo e ushtrimit abuziv të profesionit.

Corriere della Sera raporton se faktet datojnë në vitin 2016: Simoncini viziton dhe jep receta nga studimet e tij në Romë apo Tiranë pavarësisht se nuk ka mundur të kryejë aktivitetin. Në vitin 2018, pas vizitave me katër pacientët, Simoncini u dënua në shkallë të parë me pesë vjet burgim me akuzën e vrasjes nga pakujdesia për vdekjen e vitit 2012 të Luca Olivotto, nga Catania, 27 vjeç, që vuante nga tumori në tru, dhe u trajtua me bikarbonat në një klinikë në kryeqytetin shqiptar. Dënimi, i konfirmuar në apel, së fundmi është anuluar me shtyrje.

Në tetor gjashtë vjet më parë, Simoncini, nëpërmjet një lidhjeje interneti, i përshkruan një skanim CT një gruaje të lindur në Rumani, edhe pse ndalohej ta bënte diçka të tillë për shkak të përjashtimit. Gjithashtu në të njëjtin muaj ai kishte një konsultë me pagesë përmes skype me një grua nga Castrovillari. Në nëntor 2016, përmes whatsapp-it, ai shkëmben mesazhe me një paciente, ku sugjeron larje me bikarbonat për trajtimin e tumorit. Në të njëjtën periudhë ai konsultohet nga një 77-vjeçar nga Napoli, të cilit ai i përshkruan recetën e tij (me efekte të diskutueshme) që përbëhet nga infiltrime të bikarbonatit të natriumit të holluar në 5 përqind. Një pacient tha se shpenzoi 200 euro për një vizitë. Nëse do të kishte pranuar të zbatonte recetat e ish-mjekut, do të duhej të paguante shtatë mijë euro. Kjo mbeti e vetmja vizitë.

“Simoncini dha vetëm këshilla të thjeshta” është linja mbrojtëse e hedhur nga avokati i tij, Cesare Piraino./abcnews.al