Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, akuzoi se futbolli shqiptar po dëmtohet nga aleancat dhe nga provincat, në dëm të skuadrave të njohura. Pati debate të ashpra pas ndeshjeve të fundit në Superligë.
Pa nisur ende faza e katërt, shumë gjëra po kuptohen. Kastrioti e Luftëtari duket se do të jenë me më shumë shanse se Tirana në garën për mbijetesë në Superligë, duke i kujtuar kryeqytetasve atë që ndodhi dy sezone më parë, kur u rrëzuan në Kategorinë e Parë.
Një përplasje të vërtetë qytetërimesh, nëse mund të shprehemi kështu, ishin fjalët e trajnerit bardheblu, Ardian Mema, në përfundim të ndeshjes në Vlorë, thënë për Supersportin.
“Vendosen edhe nga episodet, vendosen dhe nga tavolinat. Kjo duhet thënë. Jekmi ekip që i pranojmë të treja rezultatet, por këtu është provincë dhe vazhdojnë provincat, por le të luajmë futboll. Po kush do të luajë futboll le të luajnë dhe këto provincat dhe të le të kënaqen dhe këta provincialët, të shohin futboll, të kënaqen”, tha Mema.
Përtej aleancave, Mema theksoi dallimin qytete të mëdha-provinca, diçka që shumëkush e thotë nëpër tavolina, por jo publikisht. Paragjykime që nuk mund të shmangen përveçse kur të mos ketë më dallime të tilla, por pak javë më parë, ish-ylli i Vllaznisë, sot trajner, Edi Martini, foli në emisionin “Pressing” në Abc Neës, pikërisht për aleancat.
“Aleanca ka pas gjithmonë kryeqyteti. Unë them që kush do dijë ta lozë lojën edhe një çikë më jashtë stadiumit, jashtë fushave të lojës, do të jetë edhe më i priviligjuar”, tha Martini.
Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, ekipi i të cilit fitoi 3-1 në fushën e Partizanit, bëri një pohim për Supersportin, që nuk besohet nga tifozët, të paktën duke u nisur nga komentet në rrjetet sociale.
“Nuk di të ketë aleanca sepse nuk mendoj që do ndonjëri të ketë aleanca. U aludua që në Kupë na e liroi Partizani dhe ne do e lirofshim në kampionat, ja ku e vërtetoi fusha që nuk është e vërtetë”, tha Ahmataj.
Dyshimet ishin shumë të mëdha për Partizanin, në humbjen e tretë radhazi me Luftëtarin, pësuar pasi Kukësi u mund nga Kastrioti. Edhe Gega deklaroi se nuk pati mungesë dëshire të ekipit për të fituar.
“Dëshira e madhe për të fituar, për të mbyllur lojën ndoshta na futi në përgjegjësi. Golat ju i patë. Është hera e parë që pas një konference shtypi kthehemi me tre gola në disfavor”, tha Gega.
Këtë javë, tepër i fituar doli Flamurtari i trajnerit Ilir Daja, që ndodhet pranë Europës, me gjithë krizën e pagave.
“Duke parë edhe rezultatin e ndeshjeve të tjera ishte një trepikësh i domosdoshëm”, tha Daja./abcnews.al