Ngushëllime për tragjedinë e Spanjës kanë dërguar edhe liderët politik në Kosovë. Presidentja, Vjosa Osmani ka shprehur keqardhjen e saj për humbjen e të paktën 39 viktimave nga aksidenti hekurudhor.
“Shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe u urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Kosova qëndron në solidaritet me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
Edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik.
Përmes një shkrimi në X, Kurti shprehu tronditjen për ngjarjen.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga lajmet që vijnë nga Spanja për aksidentin tragjik të trenit që mori shumë jetë. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ekipeve të shpëtimit u urojmë forcë në përpjekjet e tyre,” shkruan Kurti
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe më gjerë, ndërsa autoritetet përkatëse po vazhdojnë operacionet e shpëtimit dhe hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.


