Tragjedia me 59 viktima/ Gazetari: Në spitalet në RMV po marrin kurim 155 persona! Softa: Diskoteka, pa siguri

schedule23:49 - 16 Mars, 2025

schedule 23:49 - 16 Mars, 2025

Fitim Kryeziu gazetar në Maqedoninë e Veriut, në një intervistë në “Edicioni i Fundit” në ABC News, foli për tragjedinë që tronditi në orët e para të mëngjesit të sotëm, Koçanin. Të paktën 59 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën pasi një diskotekë u përfshi nga flakët.

Ai nënvizoi se në spitalet në Maqedoninë e Veriut, po marrin trajtim mjekësor 155 persona. Po ashtu Kryeziu shtoi se indinjata e familjarëve ndaj autoriteteve është shtuar edhe pas informacioneve të fundit, lidhur me mungesën e kontrollit ndaj këtij objekti që ishte kthyer në diskotekë.

“Siç është thënë edhe më herët, seanca e qeverisë ka zgjatur shumë pak, dhe janë marrë të gjitha masat. Është shpallur shtatë ditë zie në Maqedoninë e Veriut. Që në orët e para të mëngjesit kemi raportuar nga qendrat spitalore. Sipas ministrit të Shëndetësisë gjithsej janë 155 persona që po marrin trajtim në spitalet në vend, disa persona janë dërguar në spitalet në vendet e rajonit për trajtim”, tha ai.

Nga ana e tij eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa foli për tragjedinë, duke thënë se diskoteka nuk ka pasur asnjë element sigurie. Ka pasur një shkelje të standardeve sa i përket kushteve, sqaroi eksperti Softa, duke thënë se ngjarja mund të provokojë një situatë tensionuese, për shkak të korrupsionit.

“Nga pikëpamja e sigurisë gjithçka është “kërcënuar” sepse flet për një situatë tragjike. Kjo situatë ka kapërcyer kufijtë. Humbja e jetëve është një bilanc lufte. Është cënuar edhe siguria kombëtare, këtu nuk ka funksionuar si duhet certifikimi sepse korrupsioni ka rrëzuar disa elementë sigurisë. Ai ambient që kemi parë është si një stallë dhe është adaptuar për t’u kthyer në diskotekë. Nuk ka pasur një sistem të mbrojtjes nga zjarri. Duhet të kishte kontroll për lëndë piroteknike, për armë…Kjo me siguri do të provokojë një situatë jo të mirë në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!