28 shqiptarë u mbytën në ujrat e detit Jon 14 vite më parë. Këta banorë, kryesisht të qarkut Shkodër, ishin të moshës nga 15 deri në 33 vjeç.
U dhanë 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën se bregu tjetër do t’u rregullonte jetën, por shumica e tyre nuk e dinin se po paguanin vdekjen.
Dallgët, rreth pesë metra të larta, paralajmëruan se nuk ishte koha e duhur për të udhëtuar, por për trafikantët kjo ishte mundësia e artë për t’i shpëtuar mbikqyrjes së dy policive, asaj shqiptare dhe asaj italiane.
Gomonia 12 metra e gjatë që u nis nga Vlora i dorëzohet stuhisë detare. Pasojat? 18 burra e tre gra gjenden të pajetë në agimin e 10 Janarit nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane. 7 rezultojnë të zhdukur edhe pas 14 vjetësh. Njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët.
Ngjarja u përjetua nga të gjithë shqiptarët, nga telefonata për ndihmë drejtuar një televizioni privat e deri në përcjelljen mortore të shqiptarëve që bënë atë që bënin shumica në atë kohë, të zgjidhnin të ishin klandestinë.
Tragjedia nuk është zbardhur plotësisht.
Vetëm pas 13 vitesh u arrit ekstradimi për në Shqipëri i njërit prej skafistëve, Elton Tafilit, i dënuar me 25 vite burg nga gjykata e Vlorës për trafik të qënieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin./abcnews.al

