MAQEDONI E VERIUT- Një tragjedi e rëndë është regjistruar në Maqedoninë e Veriut, ku 59 të rinj kanë humbur jetën si pasojë e flakëve që kanë përfshirë një lokal nate.
Sipas drejtoreshës se spitalit ne Koçan, viktimat ishin te moshave 14-25 vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit, në një klub nate ne Koçan dhe si pasojë e flakëve mbi 155 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Në diskotekë ishin rreth 1500 të rinj, duke ndjekur një performancë nga nje grup muzikor vendas.
Mediat ne maqedonine e veriut raportojnë se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë fishekzjarret që janë përdorur brenda në ambientet e lokalit gjatë festës.
Prokuroria e Koçanit ka njoftuar se disa persona që kanë organizuar festën janë vënë në pranga. Ministri i Brendshëm Pance Toshkovski, përmes një konferencë për media, konfirmoi vdekjen e 59 personave në diskotekën ku ra zjarri.
Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz. Të plagosurit janë dërguar në spitalet në Shtip dhe Shkup.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, vizitoi të plagosurit dhe shprehu keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve të shumë të rinjve. Ajo shtoi se autoritetet shëndetësore nga Serbia dhe Bullgaria janë ofruar për të ndihmuar në përballimin e pasojave të kësaj tragjedie.
Kryeministri Hristjan Mickoski theksoi se Qeveria dhe institucionet do të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar familjet e prekura.
Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente, përfshirë shërbimet shëndetësore, policinë dhe autoritetet lokale, që të marrin masa urgjente në mbështetje të viktimave dhe familjeve të tyre.
Sipas mediave shqiptare në Maqedoninë e Veriut diskoteka private ku ndodhi tragjedia ka punuar ndër vite dhe pronaret e saj janë ndërruar nder vite. Licenca e diskotekës mbaronte me 24 mars./abcnews.al