Autoriteti Portual Durrës njoftoi sot se problemi i pasagjerëve që kishin planifikuar që të udhëtonin që dje drejt Italisë nuk është zgjidhur ende sot për shkak të mungesës së një trageti të linjave “GNV” dhe “Adria Ferries” për shkak të defektit të pësuar në Itali. Ndërkohë që ditën e djeshme pasagjerët që u bllokuan në port organizuan një protestë duke bllokuar trafikun në Durrës. Policia e Durrësit njofton se ka proceduar penalisht A. M., 50 vjeç, banues në Skrapar, A. G.,52 vjeç, banues në Divjakë dhe Xh. D., 52 vjeç, banues në Shijak, të cilët akuzohen për tubim të paligjshëm dhe pengim të qarkullimit.
“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, rreth orës 16:30, në lagjen nr.4, Durrës, pasi janë njoftuar se udhëtimi i tyre me traget ishte anuluar, kanë organizuar protestë në mënyrë të paligjshme, me pasagjerët e linjës, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në rrugë” thuhet në njoftim. Policia deklaron se ka nisur hetimet për pronarët e kësaj linje udhëtimi, pasi nuk i kanë lajmëruar në kohë pasagjerët e tyre, për anulimin e udhëtimit.
Njoftimi i plotë nga Porti Durrës për situatën ditën e sotme
NJOFTIM PËR PASAGJERËT QË KANË REZERVUAR UDHËTIMIN SOT DREJT ITALISË, DT.26.08.2021
Në kushtet e mungesës së një trageti të linjave GNV dhe Adria Ferries, për shkak të defektit të pësuar në Itali, informojmë udhëtarët që kanë rezervuar lundrimet drejt Italisë se:
1. Sot NUK do të ketë nisje nga Porti i Durrësit drejt Ankonës, deri në një njoftim të dytë.
2. Ndërsa tragetet e linjës Durrës-Bari do vijojnë me lundrimet normalisht në këto orare:
Trageti “Rigel III”, AGJENCIA Ventouris/Duni, ora e nisjes nga Porti i Durrësit
13.00
Trageti “AF Marina”, Agjencia Adria Ferries/GNV ora e nisjes nga Porti i Durrësit
13.00
Trageti “Rigel II”, AGJENCIA Ventouris/Duni, ora e nisjes nga Porti i Durrësit
23:59
3. Për sa i përket lundrimeve të mbrëmjes me linjat Adria Ferries dhe GNV, oraret reja të nisjes janë si vijon:
Trageti “SAGA”, Agjencia Adria Ferries, ora e nisjes nga Porti i Durrësit
23.59
Trageti “AF Claudia”, Agjencia Adria Ferries, ora e nisjes nga Porti i Durrësit
23.59
Me qëllim shmangien e radhëve apo mbingarkesës në qarkullim brenda territoritit të Portit, Check-ini për këto dy lundrime do të mundësohet sot duke nisur nga ora 13:00.
Ftojmë udhëtarët të kontaktojnë për çdo paqartësi me agjencitë ku kanë rezervuar biletat e udhëtimit, si dhe në linjën tonë të GJELBËR 0800 73 74 në funksion 24 h.
Gjithashtu rikujtojmë udhëtarët dhe drejtuesit e automjeteve për detyrimin e tyre të respektojnë protokollet anti-Covid, distancat e sigurisë dhe mbajtjen e maskave
në ambjentet e Portit dhe në bord të anijeve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Administrata Detare
Drejtoria e Përgjithshme Detare dhe @Autoriteti Portual Durrës po marrin masa që Operatorët e Trageteve të normalizojnë kalendarin e lundrimeve drejt Italisë përfshirë mundësinë për të siguruar zëvendësim apo shtesë anijesh, duke respektuar të drejtën e pasagjerëve për rimbursim në rast anullimesh sipas legjislacionit dhe standarteve të transportit detar.
Për efekt të situatës dinamike në këtë sezon të ngarkuar lundrimesh, do të vijojmë të informojmë qytetarët dhe përdoruesit e Portit për çdo përditësim në orët dhe ditët në vijim.
/ Abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!