Policia e Shtetit, që prej të hënës, 13 tetor, ka vendosur ndalimin e përkohshëm të përdorimit të monopatinave, vendim ky i marrë në bazë të numrit të lartë të aksidenteve përfshi dhe ato me fatalitete por edhe se janë përdorur masivisht nga adoleshentët dhe të miturit.
Analisti Eduard Zaloshnja vuri theksin te mungesa e bashkëpunimit mes Bashkisë dhe drejtorisë së policisë rrugore, lidhur me ndryshimin e rrugëve, apo projekteve të reja në Tiranës.
“Në letër ekziston bashkëpunimi mes institucioneve sa herë që bëhen ndryshime apo zgjerime të rrugëve. Me sa di unë deri më sot nuk ka funksionuar. Aktualisht me financim të BE është ndërtuar strategjia e sigurisë rrugore deri në vitin 2030. Është bërë një punë e mrekullueshme dhe janë adresuar këto të meta të derisotme, që nëse Bashkia vendos që rruga e Elbasanit ku kryqëzohet me Liceun me shkollën Kosova, do bësh një ngushtim, do jetë detyrim ligjor që shefi i Sigurisë rrugore të Policisë duhet të vërë firmën.” u shpreh Zaloshnja.
Gjithashtu edhe eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini u shpreh se është i nevojshëm bashkëpunimi mes institucioneve.
“Meqë trafiku monitorohet nga policia rrugore duhet që patjetër Bashkia duhet të marrë mendimin e specialistëve të policisë rrugore para se të realizojë ndonjë projekt të caktuar”, u shpreh ai.
Sakaq gazetarja Bleona Sari foli me shembuj konkret për rastet që ky bashkëpunim shpesh ka mungur.
“Në shumicën e rasteve nuk ka ndodhur . Edhe në zonën e Astirit, ka patur disa projekte. Ka patur disa kërkesa nga drejtoria e përgjithshme e rrugores por edhe e Tiranës që të ketë një bashkëpunim me ekspertë të vjetër të rrugores që të japin një mendim lidhur me mbikalimet, nënkalimet”, u shpreh ajo./abcnews.al

