Trafiku i qënieve njerëzore/ DASH: Shqipëria, shtet i falimentuar

schedule22:25 - 28 Qershor, 2018

schedule 22:25 - 28 Qershor, 2018

Departamenti Amerikan i Shtetit e vlerëson Shqipërinë një shtet të falimentuar, që ka dështuar në luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore. Në raportin vjetor, Departamenti denoncon edhe shfrytëzimin e të miturve në fushat e kultivimit të kanabisit.

Shqipëria nuk përmbush dot standardet minimale për parandalimin e trafikut të qënieve njerëzore dhe shfrytëzimit të të miturve në punë të detyruar. Kështu thuhet në raportin e përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit, ku mes të tjerash Shqipëria vazhdon të konsiderohet vend burim, tranziti dhe denstinacion i viktimave të trafiqeve. Raporti zyrtar kritikon së pari qeverinë shqiptare për faktin se vijon të ndëshkojë penalisht viktimat e trafikut, se raporton pak raste për procedime penale dhe se në ato pak raste të raportuara trafikantët dënohen për akuza më të lehta. Sipas dokumentit, në shumicën e rasteve viktimat janë gra dhe fëmijë, të cilët dërgohen për shfrytëzim seksuale ose punë të detyruar në vende si Kosova, Greqia, Italia, Belgjika, Gjermania, Zvicra, Maqedonia, Norvegjia, Holanda dhe Britania e Madhe. Në Shqipëri, vijon raporti, të miturit, sidomos ata të komunitetit rom, janë shfrytëzuar për punë të detyruar edhe në fushat e kultivimit të kanabisit. Sa i takon të qenurit një vend tranzit, raporti vë në dukje se Shqipëria përdoret nga emigrantë nga Lindja e Mesme Azia Qendrore dhe Afrika për të arritur në vendet e Europës perëndimore. Më tej, Departamenti i Shtetit i rekomandon Shqipërisë që të perfeksionojë më tej strukturat ligjzbatuese për t’i bërë kontrast kriminalitetit të këtij lloji, të mos vonojë financimet për organizatat joqeveritare që kujdesen për viktimat e trafiqeve, t’i përjashtojë ato nga ndjekja ligjore dhe t’i mbrojë nga kërcënimet dhe intimidimet. /abcnews.al