Trafiku i klandestinëve/ Veliu: 32 të arrestuar, mes tyre një polic

schedule18:55 - 2 Shkurt, 2019

schedule 18:55 - 2 Shkurt, 2019

Policia e shtetit ka arrestuar 32 persona të cilët trafikonin klandestinë nga vendi ynë drejt Anglisë dhe SHBA. Aksioni i së shtunës është vijimi i Operacionit të nisur më herët gjatë vitit 2018, ku qytetarët paguanit deri në 20 mijë euro për të kaluar Atlantikun.

 32 persona, mes tyre edhe një efektiv i policisë ranë në pranga, gjatë një operacioni kundër trafikimit të klandestinëve nga Shqipëria drejt vendeve evropiane deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë.

Kreu i policisë Shtetit Ardi Veliu  në prani edhe të Prokurorit të Krimeve të Rënda Vladimir Mara dha detaje të operacionit.

“U zbuluan e sekuestruan 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme si skaner, fotokopje, një sasi e madhe parash cash, certifikata, karta identiteti, një numër i konsiderueshëm dokumentash të personave si dhe një armë zjarri automatik”.

Aksioni u shtri në tetë drejtori vendore, ndërsa morën pjesë rreth 250 forca policie.

“Operacioni u zhvillua në disa qytete të vendit, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë, Krujë, Elbasan, Tiranë, Korçë, etj”.

Veliut tregoi si funskiononte kjo skemë trafiku klandestinësh.

“Pasi i pajisnin shtetasit me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me linja ajrore ose tokësore e më pas drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke paguar shuma të konsiderueshme nga 10 mijë paund për në Mbretërinë e Bashkuar, deri në 20 mijë euro për në SHBA e Kanada”.

Ky grup kriminal ka pajisur me dokumente të falsifikuara edhe shtatas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia. Në këtë veprimtari kriminale është evidentuar përfshirja edhe e një punonjësi të policisë,  i cili duke shpërdoruar detyrën ka kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe ka ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononte për shkak të detyrës në një pikë kontrolli kufitar”.

Për operacionin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, duke e quajtuar një goditje të fortë kundër krimit të Organizuar. “Trafikantët mashtrojnë qytetarët, minojnë lirinë e lëvizjes, e të ardhmes tonë Evropiane”, shkruan Lleshaj në rrjetet sociale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!