Trafiku i klandestinëve, dalin para gjykatës 39 të arrestuarit

schedule10:45 - 19 Mars, 2018

schedule 10:45 - 19 Mars, 2018

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda po vijon prej orës 09:30 minuta, seanca për masën e sigurisë për 39 personat e arrestuar për dërgimin e paligjshëm të shtetasve nga Shqipëria në SHBA, Kanada dhe Angli. Seanca po mbahet pa praninë e mediave, për shkak të mbipopullimit në sallën e gjyqit.

Për herë të parë, në këtë gjykatë paraqiten kaq shumë të arrestuar në një seancë. Prokurori i dosjes, Eugen Beci, kërkon lënien në fuqi dhe vazhdimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të arrestuarit.

Operacioni u finalizua para dy ditësh me lëshimin e 51 urdhërarresteve për persona të përfshirë. 39 prej tyre u arrestuan në Shqipëri, ndërsa 12 të tjerë u shpallën në kërkim.

Mes të ndaluarve janë edhe 4 policë, me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar.

Ndërsa mbrëmë është ndaluar edhe një tjetër polic, pasi akuzohet se dekonspiroi aksionin./abcnews.al