32 personat e arrestuar gjatë operacionit “Rruga e gabuar”, për goditjen e një grupi kriminal për trafikim njerëzish drejt Europës dhe SHBA-së e Kanadasë, kanë dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për rivlerësimin e masës së sigurisë së caktuar në mungesë ndaj tyre.
Prokurori Vladimir Mara i ka kërkuar gjykatës masën e sigurisë “arrest në burg” për 31 nga të ndaluarit. Ndërkaq është mësuar se gjatë operacionit është vënë në pranga edhe një i dyshuar, për të cilin gjykata kishte caktuar në mungesë masen e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ai është Enver Muka, i cili është mbajtur i izoluar në qeli për tre ditë. Pas konstatimit të faktit se ai ndodhej në kafaz, gjykata ka urdhëruar lirimin e tij dhe kalimin në sallë pranë avokatit.
Operacioni u krye disa ditë më parë nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në disa qytete të vendit. Prokuroria mësohet se ka lëshuar 36 urdhër-arreste dhe ndërkaq 4 persona janë shpallur në kërkim. Sipas hetimeve të deri tanishme, këta persona merrnin pagesa deri në 20 mijë euro për dërgimin e personave të ndryshëm drejt SHBA-së. Për këtë qëllim, ata pajiseshim me pasaporta të falsifikuara. Gjatë operacionit “Rruga e gabuar”, policia zbuloi dhe sekuestroi edhe 4 laboratorë që përdoreshin për falsifikimin e dokumenteve./abcnews.al