Trafikonin drogë nga Amerika Latine në Amsterdam: SPAK konfiskon apartamente e makina luksoze

schedule11:23 - 4 Korrik, 2020

schedule 11:23 - 4 Korrik, 2020

SPAK vendos konfiskimin e pasurive të 4 personave; Ilirjan Memia, Adriatik Memia, Arif Memia dhe Lindita Memia.

Konfiskimi u vendos pasi ka dyshime se pasuria e vendosur në Shqipëri janë produkt i ardhur nga aktiviteti kriminal, ndërsa konfiskimi është bërë pas kërkesës së autoriteteve holandeze.

Siç raporton gazetarja Glidona Daci për abcnews.al, autoritetet holandeze janë duke hetuar Ilirjan Memian për trafikim të lëndëve narkotike pasi mendohet se Memia së bashku me 4 shqiptarë dhe një shtetas holandez, trafikonin drogë nga porti Amsterdamit drejt Anglisë dhe Italisë.

 

Autoritetet Gjyqesore Hollandeze, konkretisht Prokuroria e Amsterdamit, Hollandë, kanë përcjellë një kërkesë për ndihmë juridike, në të cilën kanë informuar se në Hollandë janë duke u hetuar shtetasit shqiptarë Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, “Pjesmarrje në organizatë kriminale” dhe “Pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga legjislacioni Hollandez dhe njëkohësisht nga nenet 283/a, 333/a dhe 287 të Kodit tonë Penal.

Një pjesë të pasurive të fituara si rrjedhojë e aktivitetit kriminal dyshohet se këta shtetas i kanë transferuar në Shqipëri duke kryer investime të ndryshme.

Sipas letërporosisë nga hetimet e kryera në Hollandë ka rezultuar se shtetasit Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk prej disa viteve kanë aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë duke e trafikuar atë nga vendet e Amerikës Latine për në portin e Amsterdamit dhe me pas në vendet e tjera të Evropës si Angli, Itali etj.

Gjatë këtyre hetimeve, këtyre shtetasve u janë sekuestruar sasia prej 97 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe 16 kg heroinë.

Objekti i kësaj letërporosie ka qënë kryerja e verifikimeve pasurore për këta shtetas dhe familjarët e tyre në Shqipëri si dhe kryerja e verifikimeve dhe mbledhja e të dhënave që mund të çojë drejt zbulimit të pasurive të këtyre shtetasve në shtete të tjera.

Mbi këtë bazë është regjistruar procedimin pasuror nr. 6 datë 18.09.2019 në ngarkim të shtetasin Ilirjan Memia.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Ilirjan Arif Memia dhe personat e lidhur me të Adriatik Arif Memia, vëllai i tij dhe Lindita Hysen Memia, bashkëshortja e vëllait të tij, kanë në Shqipëri disa pasuri të luajtshme dhe te paluajtshme.

Sipas nenit 3, paragrafi 1 të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive”, i ndryshuar, dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personit mbi të cilin ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në indicie për pjesmarrje në krimin e organizuar.

Paragrali 2 i këtij neni parashikon se dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personit të përmendur në pikën 1 të këtij neni në pronësi ose zotërim të tërthortë nga personat e afert (bashkëshorti, femijët , të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat dhe bashkëjetuesi) për të cilat prezumohet regjistrimi i rremë i pasurive përveçse kur provohet e kundërta.

Mbështetur në faktet e lartpërmendura, aktivitetin e dyshuar kriminal të shtetasit Ilirjan Arif Memia në Hollandë, mungesën e të ardhurave të ligjshme në Shqipëri dhe jashtë saj për shtetasit Ilirjan Arif Memia, Adriatik Arif Memia dhe Lindita Hysen Memia, si dhe pasuritë e konsiderueshme të paluajtshme dhe luajtshme që kanë në pronësi këta shtetas lindin dyshime të arsyeshme se këto pasuri janë si produkt i aktivitetit kriminal.

Në përfundim të procesit të verifikimeve pasurore, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar me datën 02.07.2020 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konfiskimin e pasurisë të shtetasve Adriatik Memia dhe Lindita Memia si më poshtë:

  1. Lloji i pasurisë Apartament. Pasuria Nr. 197/70+1- 16, ZK. 2460, VOL. 41, FQ.2 10, me adresë: Linze, Tiranë, sipërfaqe totale e pasurisë 133.4 m2, data e rregjistrimit të pasurisë 22.01.2015, shuma e blerjes është 83.288 Euro.
  2. Lloji i pasurisë Garazh. Pasuria Nr. 505/316-G4, ZK. 2460, VOL. 48, FQ. 54, me adresë Linze, Tiranë, sipërfaqe totale e pasurisë 31 m2, data e rregjistrimit të pasurisë 01.12.2016, shuma e blerjes është 15.000 Euro.
  3. Lloji i pasurisë Arë. Pasuria Nr. 13/37 ZK. 3266, VOL. 9, FQ. 166 me adresë Sauk, Tiranë, sipërfaqe totale e pasurisë 430 m2, data e rregjistrimit të pasurisë 26.10.2016, e përfituar me kontrate dhurimi.
  4. Automjeti me targë AA 504 JM, i llojit ATP, marka Volksëagen, tipi: 2H, modeli AMAROK, viti i prodhimit 2013, shuma e blerjes është 15.000 Euro.
  5. Automjeti me targë ADR 424, i llojit Rimorkio per transport mallrash, marka KOCH, tipi U 475BN, viti i prodhimit 2015, shuma e blerjes është 1.200 Euro.
  6. Automjeti me targë AA 765 OS, i llojit autoveture, marka Audi, tipi 8 V, modeli A 3, viti i prodhimit 2016, shuma e blerjes është 20 000 Euro./abcnews.al