Dy persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, është ky bilanci i një operacioni nga policia.
Të rinjtë të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal, ushtronin veprimtarinë e tyre në fushën e trafikimit të armëve të zjarrit.
Të arrestuar janë Jurgen Suca 26 vjeç, dhe Segest Meti 20 vjeç ndërsa në kërkim është shpallur një 20-vjeçar, sipas policisë të tre rezultojnë banues në Shkodër.
Këta persona kishin fshehur në brendësi të një televizori një armë zjarri të pajisur me silenciator të ndarë në pjesë me qëllim trafikimin, destinacion sipas policisë ishte Anglia.
Televizori ishte ngarkuar në një kamion, i cili u ndalua për kontroll në zonën e “Bulevardit të Ri” në Tiranë, ndërsa nga hetimet dyshohet se drejtuesi I mjetit nuk ka pasur dijeni për armën.
Segest Meti një nga të arrestuarit rezulton i dënuar në Angli me 3 vite e 2 muaj burg për plagosje me thikë, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2024, ndërkohë më herët ka qenë çiklist me ekipin e Vllaznisë.
Grupi hetimit i ngritur për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, thotë se ka dyshime të forta për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm dhe vijon hetimet, gjithashtu dyshohet se kjo nuk është hera e parë e trafikimit të armëve nga ky grup.
/abcnews.al

