Automjetet Toyota, ku u gjetën 3,4 milionë euro, ishin blerë në Belgjikë, me porosi të Alfred Vladit. Ky është versioni që ka deklaruar para grupit hetimor Alban Mollaymeri, një nga 4 personat e ndaluar. Dy kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi janë ende në kërkim.
Katër të arrestuarit pas sekuestrimit të rreth 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit janë marrë dy herë në pyetje nga oficerë të policisë dhe grupi hetimor.
Alban Mollaymeri personi që shikoni në foto ka mohuar të ketë pasur dijeni për paratë e gjetura në dy automjete tip Toyota. Ai ka pranuar se ishte kontaktuar nga personi i shpallur në kërkim Alfred Vladi për të blerë disa automjete për kompaninë e tij.
Më pas, 40-vjeçari Mollaymeri ka kontaktuar me biznesmenin tjetër në kryeqytet, Edi Lika, i cili kishte dërguar djalin e tij Klevi Lika dhe shoferin e kompanisë Agim Çeka për të kryer transportin e automjeteve nga Belgjika për në Shqipëri.
Ndërkohë drejtuesi i automjetit, Agim Ceka, por edhe personat e tjerë të arrestuar, rrëfyen intinerarin që kishin kryer automjetet për të ardhur në Shqipëri. Veturat janë blerë tek një koncesionar në Belgjikë dhe më pas kanë udhëtuar në Ahen të Gjermanisë.
Babë e birë kanë pohuar se për këtë shërbim do të paguheshin nga Alban Mollaymeri, ndërsa ky i fundit theksoi se ishte kontraktuar nga Alfred Vladi. Dy kushërinjtë, Alfred e Elvis Vladi, gjithashtu të shpallur në kërkim, kishin në pronësi nga 7 Maji i këtij viti një kompani per huadhënie, dhënie me qera apo shitblerje makinash.
Policia ka organizuar disa operacione për kapjen e Alfred dhe Elvis Vladit, të dy nga Peshkopia, banues ne Tirane, të cilët dyshohen se janë personat që sipas policisë kanë porositur ngarkesën me euro. Por deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat për rënien në gjurmë të tyre. Burime kofidenciale nga Ministria e Brendshme konfirmojnë faktin se kanë nisur verifikimet nga SHÇBA për dekonspirim operacioni./abcnews.al