Trafikantët i ikin fushave e maleve, Policia e Shkodrës: Droga po mbillet në qytet

schedule15:40 - 7 Shkurt, 2019

schedule 15:40 - 7 Shkurt, 2019

Për policinë e Shkodrës është një sfidë e re në luftën ndaj kultivimit të drogës. Sipas Drejtorit të Policisë, Vehbi Bushati, tani ajo po mbillet edhe në ambientet e mbyllura brenda në qytet e në fshat.

Trafikantët e drogës po u ikin fushave e maleve dhe po e kultivojnë drogën në ambientet e mbyllura. Brenda në banesa, bodrume apo lokale të improvizuara në qytet e në fshat. Ky është alarmi i Drejtorit të Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati, lidhur me drogën.

“Kujdes të veçantë duhet t’i kushtojmë kultivimit në ambiente të mbyllura, për të cilat kemi të paktën 1 muaj që monitorohet çdo serë, çdo tunel, çdo ambient, qoftë edhe pallate pasi gjithmonë do kërkohet nga individë apo grupe kriminale për të gjetur forma teknika të reja për të realizuar qëllimet e tyra që është fitimi”, tha Bushati.

Megjithatë gjatë takimit të zhvilluar në prefekturen e Shkodrës nga Task Forca Vendore Antikanabis u theksua se gjatë vitit 2018 ka pasur një rënie drastike të kultivimit të kanabisit në këtë qark. Sipas drejtorit të policisë Vehbi Bushati, goditja e 3-4 grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë ka luajtur rol të rëndësishëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!