Tetë anëtarë të një familjeje shqiptare rrezikojnë të dënohet me burg në Belgjikë pasi dyshohen se merreshin me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ata e kryenin biznesin e paligjshëm përmes tregtisë së makinave.
Arrestimi i familjes u bë në Janar të këtij vitit, kur policia i arrestoi në disa adresa në Sint-Niklaas dhe një në Gent. Autoritetet sekuestruan disa makina dhe kuti në garazhin e bandës. Aty gjetën sasi të mëdha kokaine, kanabisi dhe 32 mijë euro në total.
Në krye të familjes qëndronin tre vëllezërit; Gëzimi, 38 vjeç, Martini, 31 vjeç dhe Erlindi, 26 vjeç. Përveç tyre në grup ishin përfshirë edhe dy motrat, një kunatë, dy kushurinj dhe një shok i një prej vëllezërve.
Në seancën e radhës gjyqësore të zhvilluar të hënën, ata mohuan që të jenë pjesë e trafikut të drogës.
Familja shqiptare siguronte transportin e kokainës nga Roterdami në Zvicër, Gjermani, Itali dhe Angli. Hetimet zbuluan se banda kishte filluar një biznes shitjesh me pakicë në Sint-Niklaas që operonte në të gjithë zonën e Waasland.
Secili prej anëtarëve të familjes rrezikon deri në 4 vjet burg. Dënimi për ta do të jepet muajin e ardhshëm./abcnews.al