Totenhemi, një rival për titullin në Angli

schedule11:27 - 24 Dhjetor, 2018

schedule 11:27 - 24 Dhjetor, 2018

Premier Liga angleze ka një tjetër pretendent për titull. Ky është Totenhemi, që ndodhet pranë kreut, ndonëse trajneri Poçetino bën thirrje për kujdes.

Nuk ishte vetëm fitorja që krijoi entuziazmin.

Më shumë se kaq, vetë shifrat 6-2 në fushën e Evertonit treguan se Totenhem Hotspuri ia ka mbërritur ditës për të qenë në nivelin e më të mirëve në Angli.

Vetëm 2 pikë larg kampiones Mançester Siti, dhe 6 pikë prapa kreut që mbahet nga Liverpuli.

Ylli kryesor, Harri Kejn, dhe koreanojugori Son, ishin ata që shkëlqyen më shumë, me nga dy gola secili, në një paraqitje ku nuk mund të shahej askush.

Një skuadër mjaft e mirë si Evertoni, të cilën Liverpuli e mundi vetëm në sekondat shtesë, u mposht sikur të ishte një ekip fëmijësh.

Përtej protagonistëve në fushë, tek të cilët bëjnë pjesë edhe Eriksen, Dele Ali, Vertongen apo Joris, meritën kryesore besohet se e ka trajneri Maurisio Poçetino, ai që vlerësohet si tekniku më i kërkuar në Europë, sot pët sot.

Reali e Mançester Junajtidi janë ndër klubet që duan argjentinasin.

Gazetat shkruan pa doreza për rritjen e londinezëve.

“Deili Meil”: Kush thotë se Spërsat nuk mund ta fitojnë titullin? Son dhe Kejn udhëhoqën triumfin, me djemtë e Poçetinos që shënuan 6 gola ndaj Evertonit, për t’u afruar me kreun e ligës”.

“BBC” bën analizën me ish-futbollistin Xhermën Xhenas: Everton-Totenhem 2-6! Si ia doli Poçetino ta bënte Totenhemin, pretendent për titull?

“Deili Mirrër”: Harri Kejni dhe Totenhemi dërguan kartolinën e tyre të Krishtlindjeve me fitoren ndaj Evertonit!

Por, çfarë thotë vetë Poçetino?

“Ende besoj se Liverpuli dhe Man. Siti janë favoritët për titullin, – tha trajneri argjentinas, – pastaj vijmë ne, Çelsi, Arsenali dhe Mançester Junajtidi. Rruga është ende e gjatë për të thënë nëse jemi pretendentë të vërtetë. Shqetësimi im më i madh është që Totenhemi do të ketë vazhdimësi, pasi ndryshe nuk mund të fitosh asnjë trofe”.

Falë Poçetinos, Totenhemi është jo vetëm pranë kreut në Premier, por i pozicionuar shumë mirë në Ligën e Kampionëve.

Shorti I turit të dytë ndaj Dortmundit është vërtet tepër i vështirë, por Spërsat janë për herë të dytë radhazi në këtë nivel, ndërsa prej dekadash as nuk e dinin se çfarë ishte Championsi.

Kualifikimi në një grup me Barcelonën, Interin dhe PSV Ajndhovenin ishte prova më e qartë sesa e fortë është skuadra e Londrës së Veriut. /abcnews.al