Tortura dhe vrasja të regjistruara në orën e gazetarit saudit

schedule21:41 - 13 Tetor, 2018

schedule 21:41 - 13 Tetor, 2018

Donald Trump ka paralajmëruar një ndëshkim ekzemplar për fajtorët e zhdukjes së gazetarit saudit Xhamal Kashogi, duke paralajmëruar se ai mund të prekë edhe nivelet e larta të familjes mbretërore saudite. Ndërkohë, mediat turke shkruajnë se tortura dhe vrasja e gazetarit janë regjistruar në orën “Ejpëll” që ai mbante në dorë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të shtunën se Arabia Saudite do të ndëshkohet rëndë nëse vërtetohet se gazetari i zhdukur Xhamal Kashogi është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll. Kashogi, një kritik i spikatur i regjimit të Riadhit, me banim në Shtetet e Bashkuara ku shkruante për “Washington Post”, u zhduk më dy tetor pasi vizitoi selinë diplomatike. “Do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje dhe ndëshkimi do të jetë i ashpër”, ka thënë Trump. I pyetur nga mediat nëse ishte princi saudit Mohamed bin Salman që dha urdhërin për vrasjen e gazetarit, Trump është përgjigjur: “Nuk e dimë akoma, por do ta zbulojmë. Do të dëshpërohemi shumë nëse do të rezultojë e vërtetë”, ka thënë Trump.

Megjithatë, presidenti amerikan ka shtuar se nuk dëshiron të ndërpresë shitjen e armëve tek Arabia Saudite, pas shqetësimeve te ngritura nga kompanitë ushtarake private. “Nuk dua të prish punë”, ka pohuar Trump. Ndërkohë, mediat turke bëjnë të ditur se, hetimet e deritanishme mbi zhdukjen e Kashogit kanë treguar se, momentet kur ai është torturuar dhe më pas vrarë janë regjistruar në orën e tij të dorës, e markës “Ejpëll”. Lajmi i së përditshmes pro-qeveritare “Sabah”, që është e vështirë të verifikohet, ka dalë pasi një delegacion nga Arabia Saudite mbërriti në Turqi për një hetim të përbashkët të çështjes./abcnews.al