Mesfushori i Valencias, Ferran Torres, është shumë pranë kalimit te Manchester City. Spanjolli ishte këtë mëngjes në Barcelonë, ku kreu testet mjekësore përpara se të udhëtojë drejt ishullit britanik.
20-vjeçari ende nuk shkon dot në Angli për shkak të izolimit dy-javor që është vendosur për të gjithë udhëtarët nga Spanja që duan të udhëtojnë drejt Anglisë. Ashtu siç ishte parashikuar, Torres do t’i bënte testet në Barcelonë dhe tashmë ka mbetur vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit anglez.
Manchester City do të paguajë plot 23 milionë euro në arkat e Valencias fillimisht si dhe 12 milionë të tjera më pas. Torres do të firmosë për pesë vite me “Qytetarët” dhe bëhet kështu lojtari i dytë që largohet nga Valencia këtë verë, pas përfundimit të kontratës së Ezequiel Garayit. /abcnews.al