Toro tani akuzon nga Kili: Nuk i mbajtën premtimet në Shqipëri

schedule18:56 - 30 Maj, 2020

schedule 18:56 - 30 Maj, 2020

Sebastian Toro, i cili në të shkuarën krahasohej edhe me Arturo Vidal, dy vite më parë provoi një eksperiencë në Superiore. Laçit i ishte propozuar si lojtar dhe palët ranë dakord për të bashkëpunuar. Kiliani mbërriti në Shqipëri dhe firmosi për dy vite.

Ai luajti në 23 ndeshje me kurbinasit, por problemi i tij ishin dëmtimet. Bardhezinjtë nuk ishin të bindur dhe pas një sezoni Toro u largua. Tashmë që ndodhet në Kili, ai pretendon se nuk është paguar plotësisht. Edhe më parë e pat deklaruar diçka të tillë, por më pas mohoi gjithçka, me klubin kurbinas që publikoi edhe listë-pagesat.

“Erdha keq nga Shqipëria, pasi kisha edhe një vit kontratë. Pagesat nuk i përmbushën, pasi atje klubet nuk është se janë shumë profesionale, si këtu, apo në vendet e tjera. Kishim edhe probleme me gjuhën atje.

Familja ime nuk ishte e lumtur dhe përveç kësaj kishte gjëra që ata m’i premtuan dhe nuk i realizuan. Kështu që gjërat u mblodhën dhe mora vendimin të kthehesha”, tregon për “Latercera” Toro, i cili së fundmi i është bashkuar skuadrës së Deportes Colina, në ligën e tretë në Kili. /abcnews.al