Brijan Ibrahimi është 19 vjeç, 1.93 m i gjatë dhe aktivizohet në majë të sulmit. Lojtari i Shqipërisë U19 (nuk ka debutuar ende me kuqezinjtë e vegjël) është në pronësi të Torinos, teksa ka luajtur me ekipin U19 granata dhe atë të Brescias.
TMW raporton se prej ditës së sotme është pjesë e Ascolit. Ibrahimi është huazuar për sezonin e ardhshëm te klubi që garon në Serie B, aty ku shpreson të përfitojë minuta dhe të shënojë gola.
Një tjetër lojtar shqiptar është drejt kalimit në divizionin e dytë të futbollit italian. Flasim për Elhan Kastratin, portierin 23-vjeçar. Në janar la Pescaran për t’u transferuar te Trapani i Serie C.
TrivenetoGoal.it raporton se “gardiani” nga Hasi pëlqehet shumë nga Cittadella, ekipi që numëron pikë të plota dhe kryeson Serie B. Bisedimet vazhdojnë dhe akordi përfundimtar është afër. /abcnews.al


