“Topi i Artë” vishet “bardheblu”, Redon Xhixha shpallet lojtari më i mirë i vitit 2022

schedule20:50 - 27 Janar, 2023

schedule 20:50 - 27 Janar, 2023

“Topi i Artë” shqiptar ka një emër dhe ai është Redon Xhixha. Sulmuesi që mbylli vitin kalendarik me “bardheblutë” është votuar si më i miri i vitit të shkuar nga trajnerët dhe kapitën e skuadrave të tjera të Superiores, me 24-vjeçarin që ishte një pikë “kyçe” në fitoren e titullit nga Tirana, sezonin e kaluar.

Në vitin 2022, Xhixha shënoi 23 gola në kampionat, kupë dhe ndeshjet ndërkombëtare, po aq sa dhe Xhuljano Skuka, i cili u rendit i dyti nga votat e marra, ndërkohë në vendin e tretë u rendit Mentor Mazrekaj i Laçit.

Viti 2022 u mbyll në mënyrë fantastike për kurbinasin, i cili u transferua te kampionët azerbajxhanas, Qarabag, nga ku bëri dhe një koment për trofeun e fituar, që u ngrit lart nga ish-shoku i tij i skuadrës Ismajlgeci.

“Është një emocion jashtëzakonisht i madh për mua që jam vlerësuar me këtë çmim. Ndihem keq që nuk jam sonte në sallë me ju që ta tërheq vetë këtë çmim, por para pak ditësh finalizova transferimin tim te Qarabag dhe e kam të pamundur të jem aty. Dua të falënderoj familjen time dhe ekipin e Tiranës ku dola kampion. Dua të them që futbolli shqiptar është një vitrinë e mirë për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë në ekipet e njohura europiane. Mbrëmje të bukur të gjithëve dhe ia kalofshi sa më mirë”,- u shpreh i emocionuar Xhixha. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!