Topalli: Pushteti dhe opozita janë bashkë, Basha politikan i kompromentuar

schedule14:53 - 18 Shtator, 2018

schedule 14:53 - 18 Shtator, 2018

Ish-nënkryetarja e PD –së Jozefina Topalli, në një intervistë për një të përditshme shqiptare, shpreh shqetësim për situaten e keqqeverisjes në vend. Por Topalli nuk sheh shpresë edhe tek opozita e sotme e drejtuar nga Basha, të cilin e quan modeli i dështuar i një politikani të kompromentuar.

Pas më shumë se një vit në opozitë ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli  e sheh pothuajse të braktisur kampin e djathtë nga drejtuesi i saj. Kritike dhe e drejtpërdrejtë në akuzat e saj, Topalli gjykon se Lulzim Basha nuk përfaqëson as të djathtën, as të rinjtë.

Sipas saj, Basha sot është modeli i dështuar i një politikani të komprometuar.

“Sot në Shqipëri nuk qeveris PS-ja. Dhe në opozitë nuk është PD-ja. Sot nuk ka parti të majtë dhe as të djathtë. Nuk ka as qeverisje dhe as opozitë. Pushteti dhe opozita janë bashkë. Në opozitë janë njerëzit e thjeshtë. Ata që po ikin jashtë Shqipërisë, gjithë ata që mendojnë të ikin se nuk besojnë se me këtë klasë politike ndryshon gjë dhe ata që janë një shumicë e heshtur- ata janë opozita”.

Për ish-kryeparlamentaren Topalli situata në vend është dramatike, ku mbizotëron krimi dhe pasiguria.

Ndaj ish-nënkryetarja e demokratëve vlerëson si emergjent ndryshimin radikal të klasës politike.

“Mungesa e shtetit ligjor dhe padrejtësitë e mëdha sociale çojnë ose në shpërthime të pakontrolluara, ose në çimentimin e mafies në drejtim të shtetit. Në këtë situatë dramatike, opozita farsë e kësaj periudhe ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Që gjërat të mos shkojnë edhe më keq, është emergjente të ndërhyhet. Ose duhen reformuar në mënyrë radikale forcat politike ekzistuese, ose duhen krijuar lëvizje të reja që të çojnë në forca të reja politike”.

E bindur që pakti i majit 2017 mes Ramës e Bashës  vazhdon për interesa personale, Topalli beson që qytetarët do të kenë reagimin e duhur ndaj kësaj situate.

“Vendi ynë ka plot njerëz të ndershëm, të papërlyer, ka të rinj idealistë, ka burra e gra guximtare që duan të ndërtojnë jetën në tokën e tyre. Ata do ta rrëzojnë Edi Ramën bashkë me mikun e tij të mirë Lul!”. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!