Piktori i njohur, Toni Milaqi ka bërë një rrëfim për jetën dhe karrierën e tij në emisionin “Pas Mesnate”. Ai është kthyer pas në kohë dhe ka zbuluar fillimet e emigrimit në Greqi, duke theksuar se padyshim që është hasur me paragjykime.
Sakaq, Toni ka theksuar se në fillimet e tij në Greqi i thoshin për pikturat që bënte se janë shqiptare, ndërsa kur kthehej në Shqipëri i thoshin janë greke.
“Gjithandej ka paragjykime, ashtu siç ndjej dhe në Tiranë, në Shqipëri dhe në vendin tim të lindjes. Por mendoj që ekzistojnë dhe njerëz të tjerë të cilët vlerësojnë punën, personalitetin dhe më bëjnë të ndihem mirë.
Unë e ndjej veten çik i huaj kudo, në Greqi në fillimet e mia më thoshin, kjo është pikturë shqiptare. Në Shqipëri kur vij më thonë kjo është pikturë greke. Unë mendoj që është një përpjekje e shijeve të mia personale, nuk ka të bëjë me shkollat. Në qoftë se një art është i mirë, ai i flet njeriut kudo ku ai gjendet. Unë mendoj që arti është një pasuri gjithnjerëzore dhe formimi im është fal të gjitha këtyre përvojave”, u shpreh artisti./abcnews.al