Tonelata patate stok, fermerët e Shishtavecit: Do t’i groposim, qeveria të kthejë sytë te fshatrat

schedule14:33 - 7 Maj, 2020

schedule 14:33 - 7 Maj, 2020

Pjesa më e madhe e banorëve të Shishtavecit kultivojnë patate. Ata jetojnë me të ardhurat e grumbulluara nga shitja e tyre. Por këtë vit ju kanë mbetur tonelata stok.

Veç mbiprodhimit dhe mungesës së tregjeve ata thonë se ka ndikuar dhe izolimi nga pandemia pasi nuk lejohet qarkullimi i mjeteve të transportit.

“Kam 11 ton patate të pashitura, mendoj të gjej një traktor dhe t’i gropos. Shteti nuk po vë dorë. Të paktën të kemi një farë subvencioni sa për të mbajtur familjen me bukë. Me anë të patates unë mbaj fëmijët me bukë. Kam tre fëmijë në master që kërkojnë prej meje”, u shpreh një qytetar.

Ndërkohë një tjetër qytetar thotë se nuk ka pasur shitje pasi edhe tregtarët nuk lëvizin.

“Janë bllokuar rrugët. As furgonat nuk ecin, as tregtarët s’vijnë këtu. Une patatet i kam hedhur në gropa”, thotë ai.

Një tjetër fermer kërkon që shteti të ketë më shumë në vëmendje produktet vendase.

“Kam 70 kunjtalë, s’ka kërkesa, më kanë mbetur të gjitha stok. Me keto patate nxjerrim te ardhurat. Shteti të mos marrë prodhim nga jashtë pa hequr mallin tonë. Prodhimin e vendit njehere, pastaj të marrë nga jashtë”, shprehet ai.

Në kohë normale patatet do ishin shitur që në fund të muajit mars. Produktet kanë humbur dhe vlerat ushqimore. Në këto kushte kanë një mesazh për qeverinë.

“Patatja ka mbetur pa shitur. Kufiri është mbyllur. Edi Rama nuk shikon fshatrat, por vetëm qytetet. Pagën e luftës vetëm për në qytet e diskuton se në fshat mendojnë se nuk jetojnë njerëzit”, tha ndër të tjera qytetari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!