Tomas Strakosha ne ekipin e javës së zgjedhur nga FIFA

schedule17:44 - 11 Maj, 2018

schedule 17:44 - 11 Maj, 2018

Tomas Strakosha përfshihet në ekipin e javës në futbollin botëror, pas paraqitjes së shkëlqyer në Serinë A. Vlerësimi për portierin shqiptar u bë nga FIFA.

Dihej që ishte shumë i mirë, por e tregoi edhe një herë veten.

Tifozët e Lacios nuk u ndjenë të lumtur për rezultatin, por të paktën u kënaqën nga paraqitja e portierit të tyre titullar, Tomas Strakosha.

Shqiptari 22-vjeçar u ndodh përballë shokut të tij në kombëtare, Etrit Berishës, dhe shkëlqimi që pati bëri përshtypje deri në FIFA.

Strakosha i bëri vend vetes në ekipin e javës, në një skuadër me 22 lojtarë të përzgjedhur nga ligat e gjithë botës, edhe pse nuk ishte portieri titullar I FIFA-s, por rezervë.

Në portë ishte portieri tjetër, Jan Somer.

Lacio-Atalanta përfundoi barazim 1-1, por skuadra mike e trajnerit Gasperini, meritonte të fitonte, dhe do t’ia kishte dalë po të mos kishte qenë për Strakoshën.

Ai nuk pati faj në golin e pësuar, i ndodhur vetëm për vetëm me lojtarin kundërshtar, ndërsa u ndihmua edhe nga shtylla, por meritat e tij ishin të mëdha.

Skuadra e Etrit Berishës luajti më mirë sesa Lacio duke ia rrezikuar vendin në Champions sezonin e ardhshëm, edhe pse kryeqytetasit e kanë ende fatin në duart e tyre.

Do të luajnë ndaj Krotones dhe pastaj do të presin Interin në javën e fundit të Serisë A, në një sfidë direkte për kualifikim për në Ligën e Kampionëve.

Do të duhet që Strakosha të jetë sërish në formë të madhe që Lacio të realizojë objektivin e madh të sezonit, ndërsa portieri shqiptar shpreson të luajë në elitën e futbollit europian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!