Tjetër sulm me armë në shkollat amerikane, dy të plagosur

schedule22:00 - 1 Shkurt, 2018

schedule 22:00 - 1 Shkurt, 2018

Dy adoleshentë kanë mbetur të plagosur në Shtetet e Bashkuara pasi janë qëlluar me armë zjarri në ambjentet ku zhvillohej mësimi. Policia ka ndaluar autoren e ngjarjes, një vajzë moshatare me të lënduarit.

Sërish sulm me armë zjarri në shkollat amerikane. Një adoleshente ka qëlluar dy moshatarë në një gjimnaz në Los Anxheles, duke plagosur rëndë një prej tyre. Sipas raportimeve të mediave amerikane, të lënduarit janë një djalë që është plagosur në kokë dhe një vajzë që plumbi e ka zënë tek kyçi i dorës.

Djali, i moshës 15-vjeçare, është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, mjekimeve i janë nënshtruar edhe një grua me dy fëmijë, të cilët kanë marrë plagë sipërfaqësore. Agjentët e policisë së shkollës kanë deklaruar se të shtënat janë verifikuar në një klasë, teksa zhvillohej mësimi. Ndërkohë, strukturat e tjera të rendit kanë nënvizuar se pas veprimeve proceduriale zona që përfshin institutin arsimor është sërish e sigurtë. Sa u takon motiveve të ngjarjes po heton policia e Los Anxhelesit, e cila ka ndaluar autoren.

Liria e armëmbajtjes konsiderohet një plagë e shoqërisë amerikane, që është bërë shkas për një mori incidente të tilla, shumë prej të cilave kanë rezultuar me numër të lartë viktimash./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!