“Titulli në Shkodër”, Dedja: Ky është viti i Vllaznisë, besoj se e merr Superligën

schedule13:56 - 20 Shkurt, 2024

schedule 13:56 - 20 Shkurt, 2024

Ky ekip vitet e fundit është mësuar të fitojë ndonjë Kupë. Nuk është gjë e vogël të marrësh trofeun e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri, por skuadra më e vjetër në vend duhet të kërkojë më shumë.

Sipas mendimit të një specialisti shkodran të futbollit, ish-futbollistit e ish-trajnerit kuqeblu, Hysen Dedja, Vllaznia po luan në një sezon krejt të veçantë në Superligë e për këtë foli edhe në intervistën për ABC News.

“Dua të theksoj më tepër rritjen galopante të Vllaznisë. Në rezultatet shumë pozitive, që ka patur këto javët e fundit në kampionat, ku ka 9 javë pa humbje. Është një domethënie e madhe, sidomos për faktin, që fituesin do e përcaktojnë 4 skuadra, në fund, në Tiranë dhe me këtë atmosferë, që shikoj te Vllaznia kam ndjesinë që Vllaznia do të shpallet kampione”

Me Egnatian e Partizanin që duken në pozita të mira në vendet e para, e rrezikuar është Tirana që mund të mbetet jashtë katërshes që do të luftojë për titull.

“Te Tirana shoh se lë për të dëshiruar kontigjenti. Si Vllaznia, që thashë më parë është edhe Partizani, që ka rezultate të mira, por ka edhe një kontigjent të mirë futbollistësh, ka një stol shumë të fortë, kurse Tirana ka shumë mungesë. Ndoshta kanë ndikuar edhe largimet, që kanë ndihmuar arkat e klubit, por është dobësuar si skuadër”.

Si e shpjegon Dedja ndryshimin për mirë të Dinamos, që nga kandidat për rënie mund të jetë në vallën e titullit?

“Te Dinamo, ashtu si çdo skuadër tjetër në botë, është edhe fryma. Përveç metodave të stërvitjes, psikologjisë, taktikës, por ndoshta është edhe vetëm fryma, pasi Mehmeti i njeh edhe më herët lojtarët. Janë disa gjëra, që në sport edhe në çdo fushë tjetër të jetës, që mund të lidhet me faktin se lojtarët japin më shumë në fushë edhe për shkak të afrimitetit, që kanë me trajnerin”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!