Vllaznia që në verë u kuptua se do jetë skuadër me objektiva të ndryshëm nga sezonet e fundit, teksa gjatë ndeshjeve të para të sezonit po tregon se është një ekip shumë i fortë.
Mbrëmë fituan me shifrat 3-2 ndaj Tiranës, teksa numërojnë tre fitore në po aq ndeshje në Superiore. Kaq mjafton për të ndryshuar objektivin e skuadrës, që siç zbulon sponsori Xhaferi, në dhomat e zhveshjes është pritur me thirrjet e titullit të dhjetë kampion.
Ai fillimisht flet për ndeshjen e mbrëmshme, që u fitua në minutën e fundit me një gol të Dungës. “Ishte ndeshje që bëri diferencën sepse normalisht këtu nis sfida e vërtetë e Vllaznisë. Kemi ndeshjen e javës tjetër me Teutën.
Kështu që, deshi Zoti dhe e finalizuam me sukses. Ishte një fitore shumë e bukur për ne sepse ne jemi mësuar gjithmonë të humbim në minutën e fundit, por sot erdhi momenti të fitojmë në minutën e fundit”.
Xhaferi tregon edhe pritjen e veçantë, që skuadra i bëri në dhomat e zhveshjes. “Kjo është një Vllazni që bind dhe lufton deri në fund për të arritur rezultatin. Faktikisht skuadra më priti me një surprizë, këtë dua ta ndaj me të gjithë.
Ata kishin një fjalë: dhjetë, dhjetë, dhjetë! Kjo është dëshira e skuadrës, kanë dëshirë të vendosin titullin në fanellë, por unë i kam bërë objektivat që në fillim dhe me ndihmë të Zotit besoj se do e arrijmë”.
Sponsori i shkodranëve flet edhe në lidhje me premion, të cilën e quan simbolike dhe jo motivuese për të arritur te fitorja. “Premio është diçka simbolike, sot skuadra ka qenë e motivuar për të arritur aty ku duam.
Të mos jemi euforikë, të ecim me objektivat e mëparshme she do i marrim ndeshje pas ndeshje. Sa i përket merkatos së janarit do e shohin trajneri e drejtori teknik dhe nëse do ketë nevojë, normale që do ndërhyjmë. Unë shpresoj që detyrimet e përcaktuara do plotësohet”.
Në fund Xhaferi flet në lidhje me vonesat e pagave nga bashkia pas çdo fundviti, privatizimin dhe përballjen e javës së ardhshme me Edi Martinin. “Te Vllaznia të gjitha pagat janë paguar dhe kjo është procedurë që e zgjidh bashkia.
Privatizimi ka nevojë për vullnet të fortë politik dhe duhet të proces privatizimi që Vllaznia të ndryshojë menjëherë të nesërmen dhe të marrë një frymë të re. Teuta e Edi Martinit? Me gjithë respektin që kam për profesorin, Vllaznia shkon për fitore”, përfundon Xhaferi. /abcnews.al