Lojtarët e Barcelonës ndodhen me pushime dhe shumë shpejt do të rikthehen në fushë për t’u përgatitur për Champions League. Ekipi katalanas barazoi 1-1 ndeshjen e parë kundër Napolit në “San Paolo” dhe do të tentojë kualifikimin në çerekfinale në duelin e kthimit, që do të luhet në datë 8 gusht.
Kalimi më tej është detyrim për Barçën dhe Quique Setien. Trajneri ka marrë një lajm negativ nga infermieria. Marc-Andre ter Stegen, një nga lojtarët kyç, rrezikon sfidën ndaj italianëve sipas raportimeve të AS.
Portieri gjerman ndjen shqetësime në tendinin e gjurit të djathtë, një problem që e shqetëson prej kohësh. Dhimbjet janë shtuar dhe tani rrezikon shumë aktivizimin në përballjen delikate kundër skuadrës së Gennaro Gattusos. /abcnews.al