Tiranë, policia nuk ka informuar median dhe publikun për disa ngjarje kriminale në shtator

schedule16:35 - 21 Shtator, 2017

schedule 16:35 - 21 Shtator, 2017

Në njoftimet e saj zyrtare, policia e kryeqytetit nuk ka raportuar disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur këtë muaj në Tiranë. Ato janë mësuar vetëm jozyrtarisht nga burime policore, apo nga dëshmitarë në vendngjarje.
Disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Tiranë gjatë muajit shtator nuk janë raportuar në komunikatën zyrtare të policisë, duke u mbajtur kështu e fshehte për opinionin publik. Ndonëse këtij të fundit, i raportohen përmes njoftimeve zyrtare në media edhe ngjarje apo operacione policore shumë më pak të rëndësishme apo të rrezikshme, disa ngjarje si shkëmbime zjarri apo edhe të shtëna armësh ndaj policisë janë mësuar vetëm jozyrtarisht nga burime policore, apo nga dëshmitarë në vendngjarje.
Kështu, ABC News ka mësuar se një ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 12 shtatorit, në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë është raportuar në komunikatën e brendshme të policisë. Por ka munguar në njoftimet për shtyp që i përcillen medias çdo ditë. Bëhet fjalë në rastin konkret për të shtëna armësh nga persona ende të paidentifikuar, në drejtim të mjetit tip Renault, me drejtues një 23 vjeçar, banues në Tiranë.
Në rrugën “5 maji”, mësohet gjithashtu se po këtë muaj ka pasur një shkëmbim zjarri por që nuk është raportuar as në komunikatat e brendshme të Policisë.
Në vendngjarje u gjetën vetëm disa gëzhoja automatiku “Kallashnikov”. Ndërsa burimet thonë se kanë qenë disa të rinj nga Bulqiza që kanë qëlluar pas një konflikti ku shkak është bërë shitja e lëndëve narkotike në këtë zonë.
E po në këtë rrugë, sipas burimeve të ABC News, makina e një avokati, e parkuar poshtë pallatit ku banonte është qëlluar disa herë me armë. Sërish autori mbetet anonim.
Një ngjarje tjetër e rënde që nuk është raportuar nga Policia e Tiranës, është ajo ndaj Efektivëve të patrullës së Komisariatit nr.6, ndaj të cilëve është qëlluar me breshëri automatiku. Burime të ABC News thonë se efektivëve u rrezikua jeta nga 3 grabitës të armatosur që po tentonin të grabisnin një mjet luksoz.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!