Tiranë/ Mashtronin të huajt për të investuar në bursa, arrestohet administratori i call center, procedohen 13 operatorë

schedule13:21 - 31 Janar, 2025

schedule 13:21 - 31 Janar, 2025

Policia e Tiranës ka arrestuar administratorin e një call center dhe ka proceduar penalisht 13 operatorë. Mësohet se ata mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Sakaq, policia u ka sekuestruar pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe mjete pune që përmbanin të dhëna të ndryshme.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit operacioni policor i koduar “Location”.

Zbulohet një ambient i përshtatur si call-center, me anë të cilit mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Vihet në pranga administratori i ambientit dhe procedohen 13 operatorë, mes tyre dhe shtetas të huaj.

Sekuestrohen pajisje kompjuterike, aparate celulare dhe mjete pune që përmbanin të dhëna të ndryshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Location”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 39 vjeç.

Shtetasi R. L.,  administronte një subjekt të palicencuar, me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, në rrugën “Themistokli Gërmenji”, të cilin e kishin përshtatur si call center.  Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë 13 operatorë gjatë kohës që mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursë fiktive.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!