Një tjetër fundjavë e zbrazët. Gjithçka është e kyçur në kryeqytet, marketet, fruta perimet, furrat e bukës , dhe farmacitë, të gjithë kanë zbatuar rregullin.Tirana tashmë ka marrë hijen e një qyteti të braktisur.
Qeveria ka vendosur masa izoluese për qytetarët për të parandaluar përhapjen masive të COVID-19. Në rrugicat e brendshme te lagjeve, ka ende disa qytetare të cilët nuk janë bindur shtetrrethimit.
Izolimi në shtëpi për pjesën më të madhe të njerëzve, funksionon. Disa preferojnë të marrin rrezet e diellit në dritare apo ballkon.
Por ka edhe nga ata që shkelin rregullat për të hedhur plehrat apo për tu kujdesur për qenin në këtë kohë me diell.
“Është e vështirë sepse ai ka nevojë të dalë”.
Ndërsa kjo infermiere me hap të shpejtë i drejtohet shtëpisë pas punës , për tu kujdesur për familjen.
Të vetmet shërbime që lejohen janë pica taksi, te cilat i japin pak gumëzhinë rrugës.
Apo shërbimet e agjencive funerale që edha ata thonë se ceremonitë kryhen vetëm me 4 persona
“Vazhdojnë me një ose dy makina dhe me 4 ose 5 persona. Shumë e vështirë është se këto organizime nuk bëhen pa miqësi”.
Edhe për këta punonjëse te pastrimit, të një firme private e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës nuk ka ditë pushimi. Ata kujdesen për të mbajtur pastër ambientin në këto kohë pandemie. Pjesa më e madhe e tyre janë pa maska e mjete mbrojtëse ndaj virusit, frika për to është e madhe
Ata ankohen edhe për pagat e ulëta te cilat nuk u dalin për të mbajtur frymën
“Të paktën të na ngrenë rrogat, unë jam me 7 kalamaj. Punojmë 8 orë. Rrogën e kemi 200 mijë lekë. Unë 120 paguaj shtëpinë, edhe drita e ujë”, thotë punonjësja.
Rregulli i izolimit është zbatuar edhe nga të gjithë komunitetet ne vend , kisha e xhami i kanë dyert e mbyllura , heshtja thyhet nga tingujt e kambanës së katedrales , e cila lë shteg shprese për ditë më të mira. /abcnews.al

