Tirana fiton… por mund të bjerë sërish nga kategoria

schedule12:42 - 17 Maj, 2018

schedule 12:42 - 17 Maj, 2018

Tirana fitoi vërtet titullin kampion në Kategorinë e Parë, por rrezikon sërish të bjerë nga Superliga. Presidenti Halili ka afat deri në fillim të Qershorit për të shlyer borxhin e radhës.

Një realitet virtual për emrin më të madh në Shqipëri.

Tirana nuk është e sigurt për Superligën as pas sigurimit të saj në fushën e lojës, dhe as pas fitores së finales së Kategorisë së Parë ndaj Kastriotit.

Dy golat e Bedri Grecës dhe trofeu për të cilin me të drejtë nuk u festua, mund të mbeten thjesht një sukses pa vlerë, pasi borxhet ia rrezikojnë statusin klubit 24 herë kampion në vend.

Çështja më urgjente është ajo e detyrimit prej 10.7 milionë lekësh të reja ndaj ish-lojtarit Gjergji Muzaka.

Për këtë arsye, Tiranës iu hoqën fillimisht 3 pikë nga Komisioni i Disiplinës në Federatë, me vendimin e datës 8 Maj të këtij viti, ndërsa u paralajmërua se do të ketë masa të tjera.

Nëse nuk paguan deri në 22 Maj, kryeqytetasve u hiqen edhe 3 pikë të tjera në renditje, ndërsa nëse kjo nuk ndodh deri në 2 Qershor, atëherë Tirana zbritet sërish në Kategorinë e Parë.

Presidenti Refik Halili u shpreh pas finales ndaj Kastriotit se do të gjejë akord me Muzakën, dhe se skuadra nuk ka asnjë rrezik.

Gjithsesi, burime pranë lojtarit bëjnë me dijë se ai nuk ka dëshirë të bëjë marrëveshje, por të marrë pagesën e plotë, siç i takon.

Gjithsesi, burime në Federatë dhanë siguri se do të ketë një marrëveshje, por jo me ndihmën e institucionit të drejtuar nga presidenti Duka, dhe se Tirana do të mbetet në Superiore.

Ndaj vetë Federatës, klubi bardheblu ka mbi 200 000 euro borxhe, në bazë të marrëveshjeve të mëparshme, dhe burimet e mësipërme bëjnë me dijë se kjo gjendje nuk mund të zgjasë pa fund.

Hallet e Tiranës nuk përfundojnë me kaq.

Ka mjaft gjyqe të fituara ndaj saj, nga ata që pretendojnë të shlyhen financiarisht, dhe ka vendime të shumta në Qendrën Kombëtare të Biznesit mbi vendosje të sekuestros ndaj llogarive të klubit.

Vendimi më i fundit në 28 shkurt të këtij viti, ndërsa njoftohet se edhe ish-trajneri Alban Tafaj e ka fituar gjyqin e tij.

E tillë është gjendja në klubin më të shquar të futbollit shqiptar, i cili vazhdon të jetë në luftë me tifozët e tij ultras.

Tifogrupi “Tirona Fanatics” nuk kremtoi aspak fitoren e titullit në Kategorinë e Parë, ndërsa ditë më parë akuzoi si fajtor presidentin Halili pas dënimit të fundit të dhënë nga Disiplina.

Tiranës i mbetet të bëjë sa më shpejt një marrëveshje ose të bjerë sërish nga kategoria./abcnews.al