“Tirana e Nonës”, libri më i fundit i Blendi Fevziut, një analizë e fateve njerëzore

schedule18:03 - 12 Nëntor, 2019

schedule 18:03 - 12 Nëntor, 2019

Gazetari i njohur Blendi Fevziu ka prezantuar në një takim me të rinj, librin e tij më të fundit “Tirana e  Nonës”. Fevziu thotë se libri nuk është as roman e as libër kujtimesh, por një analizë e fateve njerëzore.

Blendi Fevziu ka shkruar libra artistikë, historikë, por asnjëri prej tyre nuk i ka dhënë kënaqësi  sa “Tirana e nonës”. Libër të cilin e ka nisur në fillim të viteve 90, por tashmë u jetësua, dhe këtë vepër mike siç e quan ai, ia dedikon tri grave: Nona, teta Meti dhe Bibia.

“Gjetën befas një fëmijë tek i cili filluan të rrëfenin. Rrëfimet e tyre nuk ishin rrëfime të zakonshme, që janë fantastike, të çdo gjyshi e gjysheje të çdo njeriu, sepse eksperiencat jetësore janë të jashtëzakonshme. Ato janë rrëfime që lidhen me historinë e Tiranës, me historinë e Shqipërisë, me zhgënjimin që ato kishin në raport me politikën, me zhgënjimin që kishin në raportet e miqësisë personale, gati edhe me problemet e brendshme familjare si çdo familje, dmth hatërmbetjet, prishjet,  divorcet, rivendosjet e marrëdhënieve të reja. Kështuqë ato filluan të mi rrëfenin në një periudhë 10 vjeçare, ku më shumë se sa protagonist, isha thjesht një dëgjues shumë i kujdesshëm, dhe një vëzhgues po kaq i kujdesshëm i bisedave që bënin jo vetëm me mua, por që ato bënin edhe me njëra tjetrën”, tha Fevziu.

Libri i cili i kishte ngecur prej shume vitesh , mori formë gjatë udhëtimeve të shpeshta, thekson Fevziu.

Prej gati 20 vitesh, a herë vendosja letrat për të shkruar ose hapja kompjuterin, gjithmonë ngecja, nuk shkruaja dot as frazën e parë. Më pas hapa një polder ku e quajta Tirona ku fusja gjëra që më kujtoheshin, detaje. Ai polder shkoi gati 30 faqe, vetëm me piketa. Një ditë isha në udhëtim dhe e kam thënë sapo avioni u ngrit nga pista, hapa IPAD që kisha me vete e nisa të shkruaj, dhe kur jam ulur në aeroportin tjetër kisha shkruar pothuaj dy kapitujt e parë të librit. Befas libri nuk pati asnjë subjekt të mirëfilltë, secili kapitull shkruhej si një libër më vete, pra mund të lexohen edhe kapitujt të ndarë nga njëri tjetri, por njëkohësisht kanë një histori”, rrëfeu ai.

Fevziu thotë se u gjenda në jetën e saj në vitet e fundit të jetës kur nona ishte “zhveshur” nga gjithçka. Ishte “zhveshur’ nga pushteti dhe ambiciet e familjes, ishte “zhveshur” nga pasuria që ja kishte marrë komunizmi, ishte “zhveshur” edhe nga persekutimi, dhe pikërisht në fund të jetës së saj filloi të jetonte.

“Libri lind në momentin kur stërgjyshja ime po ndërronte jetë, kur isha 14 vjeç. Në këtë moment u prish kjo 3-shja, e 3 grave që kishin shenjuar jetën time. Gjithë jeta e saj ishte një mbijetesë për të rritur fëmijët, një mbijetesë për të parë se si rrënohej pushteti i familjes së saj, pastaj i mbijetesës nga komunizmi, dhe vetëm në fund të jetës të saj, kur unë them që çdo gjë kishte mbaruar, ato kishin harruar edhe persekutimin. I kishte harruar historia dhe komunizmi. Ato filluan të jetonin duke kujtuar jetën e fëmijërisë së tyre”, tha ai.

Blendi Fevziu librin  do ta prezantoi edhe në panairin e 22-të të Librit, që do të mbahet nga data 13-22 nëntor në Pallatin e Kongreseve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!