Martiri i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Lazër Shantoja i njohur si poet dhe prozator vjen për lexuesin përmbledhja e publicistikës së tij e titulluar “Tinguj shungulles të shpirtit” përgatitur për botim nga Arben Ndreca.
Me vargjet e Shantojes, recituar nga aktorët në teatrin “Migjeni”, në vendin e tij të lindjes promovohet libri “Tinguj shungullues të shpirtit”, përgatitur nga Arben Ndreca.
18 vite publicistik e martirit të kishës, Lazër Shantoja, botohet për herë të parë nga Berk.
Ana Shkreli e vë theksin tek veçantia e shkrimeve të tij si përplasje e dy botëve.
Lajtmotivi i njohësit të disa gjuhëve të botës, mbetej përsosje e “Gjuhës Shqipe”.
“Dom Lazër Shantoja jetoi në mërgim plot 15 vjet.
Fliste, lexonte e shkruante latinishten e greqishten, gjermanishten, frëngjishten e italishten.
Ai qe ndër të parët shqiptarë që mësuan esperanton.
Por kujdesin më të madh e kishte për të përsosur shqipen, si mjeti i tij kryesor letrar e estetik…”.
Studiuesja Evalda Paci, i njeh meritat përkrah emrave të shquar të shekullit të kaluar si pasurues të formës së të shkruarit shqip.
“Emri i Shantojes do të renditet krahas Ernest Koliqit, Mustafa Krujës, Eqrem Çabej… Themelues bërthamash institucionale me peshë në kontekstin shqiptar, ndërkohë që secili kontribuon me vetëdije të plotë në pasurimin e gjuhës së shtypit, por edhe të formave gjinore që vazhdojnë të jenë më interesante për Letërsinë e shkruar shqipe”.
Dom Lazër Shantoja la një numër të madh veprash, të cilat janë mbledhur me zell e përkushtim nga Arben Ndreca në dy vëllime me qindra faqe, që përmbledhin jo vetëm veprat e njohura, si “Për natë kazanash”; përkthimet e “Faustit” dhe Gëtes e “Vilhelm Telit” të Shilerit, por edhe shkrimet e tij të shumta, shpërndarë ndër gazeta e revista të kohës, si “Leka”; “Cirka” e sidomos tek “Ora e maleve”, ku bashkëpunoi ngushtë me Atë Anton Harapin, Atë Gjergj Fishtën e Luigj Gurakuqin./abcnews.al/

