Lojtari më i ri i Vllaznisë, Tim Brdaric, ka dhënë përshtypjen e parë për futbollin shqiptar. Qendërmbrojtësi ka treguar gjithçka për aventurën e tij që po përjeton te Vllaznia në një intervistë për “fussball.de”, ku ndër të tjera prek dhe marrëdhënien me babain e tij, Thomas, i cili njëkohësisht është dhe trajneri i shkodranëve.
IMPAKTI I PARË – “Jam këtu prej një jave dhe më pëlqen shumë. Njerëzit janë shumë mikpritës dhe jam pritur shumë mirë nga ekipi. Zona është gjithashtu e bukur, kemi një liqen afër dhe është vetëm gjysmë ore larg në detin ‘Mesdhe’. Aeroporti i Tiranës është 45 minuta larg dhe vendndodhja është shumë e mirë. E kuptova menjëherë atë që ndodh këtu për futbollin.
COVID-19 DHE TIFOZËT – “Rregullat e Covid-19 nuk janë aq të rrepta këtu sa në vendet e tjera. Është një shtetrrethim pas orës 22:00, por nëse ekipi juaj fiton njerëzit nuk e përmbajnë dot veten. Kur mbërrita javën e kaluar, shkova menjëherë për të ndjekur ndeshjen me Bylisin, edhe pse ishte në transfertë. Ne fituam 1-0 dhe goli i fitores u shënua në minutën e 95-të. Asnjë tifoz nuk lejohet në stadium, por kur u kthyem në Shkodër ata na pritën me varg makinash dhe bori”.
BABAI DHE ROLI I TIJ NË KARRIERË – “Unë kam luajtur futboll që kur kam qenë pesë vjeç dhe gjithmonë kam ëndërruar të jem një futbollist profesionist. Tani më është dhënë kjo mundësi dhe jam i lumtur për këtë transferim. Babai po e shikon nga afër zhvillimin tim atletik, përpos vështirësive në vitin e shkuar. Viti i kaluar ishte një makth për çdo lojtar amator, pasi sezoni u anulua që në mars”.
KRAHASIMI DHE GJUHA – “Kam parë vetëm dy ndeshje nga afër dhe është akoma e vështirë për mua të bëj një vlerësim. Këtu në Shkodër çdo gjë është profesionale dhe jo më kot jemi në krye të klasifikimit. Futbolli është teknikisht i fortë, por fakti që Shqipëria nuk është anëtare në BE e bën më të vështirë për lojtarët që të transferohen në një vend tjetër evropian.
Nëse e krahasoni me Gjermaninë, shumica e ekipeve janë më shumë si divizioni i dytë. Për sa i përket gjuhës nuk është një problem. Të gjithë mund të flasin anglisht, por unë komunikoj dhe në gjuhën kroate. Gjithashtu me brazilianin që kemi në ekip flas edhe spanjisht, duke qenë se ajo ka ngjashmëri me gjuhën portugeze”.
E ARDHMJA– “Kontrata ime është e vlefshme deri në 30 qershor. Fillimisht është rënë dakord që unë të luaj me ekipin e U-21, në mënyrë që të kap ritmin. Këtu ekziston kampionati për ekipet rezervë të ekipeve të para dhe kjo do më ndihmojë shumë.
Nëse do të fitonim kampionatin, atëherë do të ishte vërtetë diçka e madhe. Të shtunën luajmë me një kundërshtar direkt si Partizani. Nëse i mposhtim ata do të ishte shumë mirë, por kanë mbetur dhe 20 ndeshje për t’u zhvilluar”.
BABAI TRAJNER – “Babai im mund të më mbështesë shumë mirë me përvojën që ai ka si trajner e lojtar, por padyshim që nuk mund të më aktivizojë vetëm sepse jam djali i tij. Ne të dy mund të kalojmë shumë mirë. Tashmë duhet të punoj shumë që të arrij në nivelin ku duhet, pasi vitin e kaluar jam stërvitur më shumë në mënyrë individuale”.
AVENTURA NË SHBA – “Fillimisht bëra një provë tek Atlanta United, kampionët e vitit 2018 dhe fituesit e Kupës së vitit 2019 për afro dy javë. Nuk arrita dot të siguroja një kontratë atje dhe më pas u bashkova me Duquesne Dukes.
Kisha shumë shpresë për transferimin tim atje, por nuk rezultoi ashtu siç e kisha imagjinuar. Kjo ishte arsyeja pse unë u riktheva sërish në Gjermani pas gjashtë muajsh dhe u transferova tek Monheim, para se të vija këtu”, përfundon Brdaric. /abcnews.al