Nga Spanja, kryeministri Rama ka zbuluar se mbyllja e Tik-Tok është çështje ditësh në Shqipëri, por ende nuk është zbatuar.
Në një intervistë për “El Mundo”, Rama tha se qeveria shqiptare është në negociata me kompaninë, dhe Tik-Tok do të rihapet kur këta të fundit të plotësojnë kërkesat.
“Pezullimi ende nuk është kryer, vlerësojmë se do të bëhet brenda pak ditësh. Ne po angazhohemi gjithashtu në dialog konstruktiv me ta. U befasova nga gatishmëria për të adresuar shqetësimet tona. Do të mbyllet dhe do të rihapet për sa kohë që TikTok plotëson të gjitha kërkesat tona”, tha ai.
Rama u ndal tek çështjet rajonale. Për zgjedhjet në Kosovën nuk ka asnjë preferencë për fituesin, kurse në Serbi, pati kritika për opozitën.
“Nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve. Unë jam një mik dhe i respektoj të gjithë. Kosovarëve u uroj gjithë të mirat për çfarëdo vendimi që do të marrin. Problemi që kam me opozitën serbe është, pa hyrë në dinamikën e politikës së brendshme, se ajo nuk duket më pro evropiane apo pro perëndimore se sa presidenti. Sa i përket Kosovës, ata nuk duket të jenë më përparimtarë. Për pjesën tjetër, nuk është rasti im të komentoj, sepse është çështje e brendshme e Serbisë. Në fund dialogu do të duhet të mbizotërojë. Sepse marrja me forcë e një qeverie nuk duhet të ndodhë kurrë në tokën evropiane”, shtoi Rama.
Po aq i pashqetësuar kryeministri Rama është edhe për kampet në Shëngjin e Gjadër, të cilat i konsideroi kompetencë të Italisë, ndërsa propozoi një politikë të përbashkët emigracioni nga Bashkimi Europian.
Kurse për vendimet e administratës së re të Trump, që prekin edhe refugjatët afganët në Shqipëri, Rama siguroi se këta të fundit mund të qëndrojnë pa asnjë problem.
/abcnews.al/